Sanitarja e “Shefqet Ndroqit” i merr 8 milionë lekë vajzës së pacientes që vdiq nga Covid

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Pasi nëna i vdiq nga Covid te spitali “Shefqet Ndroqi”, vajza bën denoncimin: Sanitarja u hoq si infermiere, më mori 8 milionë lekë për t’ua dhënë mjekëve.

Emisioni “Stop” ka bërë publik mbrëmjen e sotme një denoncim të rëndë nga vajza e një pacienteje që ka qenë e prekur me koronavirus dhe e shtruar tek “Shefqet Ndroqi”.

Ajo thotë se nëna e saj 55-vjeçare kishte 28 ditë e shtruar në spital, qysh në fund të nëntorit. Ajo bëri skanerin dhe doli me Covid. Familja mori mjek privat dhe oksigjen, por 55-vjeçares i plasi hemorragji nga hundët dhe vajza u detyrua ta çojë në spital.

Vajza tha se kishte shkuar te spitali dhe aty i ishte shfaqur një person që i ishte prezantuar si infermiere, shtetasja Tire Dervishi. Vajza e të ndjerës që ndërroi jetë thotë se znj.Dervishi që hiqej si infermiere ishte sanitare në të vërtetë dhe e mashtroi.

Lekët i merrte ajo dhe më pas ajo ja shpërndante lekët mjekëve dhe infermierëve. Vajza merrte lekë borxh për të mbajtur gjallë nënën e saj.

“Sanitarja mu shfaq te dera dhe më tha jam infermierja, Tira Dervishi. Më jep numrin e telefonit dhe më thotë të mbajmë kontakte. Më tha situata është e rëndë dhe ka ngarkesë ndaj na duhen lekë që t’i rrimë te koka. 50 mijë lekë për infermierin, 50 për Tire Dervishin, 20 mijë lekë sanitarja, 100 mijë lekë mjekja dhe 50 mijë lekë një mjeke tjetër. Shpeshherë lija punën që të bëja pagesën në kohë, më ishte kthyer në detyrim. Shuma që ka marrë Tirja është mbi 8 milionë lekë të vjetra. Unë fusja ushqime dhe ujë vetë, pampersat, insulinat dhe termometër”.

Vajza e të ndjerës mori informacion që Tirja ishte sanitare në katin e tretë dhe jo infermiere, dhe vendosi që ta denoncojë në emisionin investigativ “Stop”.

MESAZHET

Tire Dervishi: Atë 70 mijë lekshin për çfarë ma dhe për ditën apo për natën?

Vajza e pacientes: Për ty…

Tire Dervishi: Po për ditën apo për natën?

Vajza e pacientes: Qëpar dhashë 50 për Fatjonin dhe Pastruesen, ato 70 janë për ty.

Tire Dervishi: Për mua janë pak për sonte 70 mijë lekë…

Vajza e pacientes: Më thuaj sa do dhe t’i jap, vetëm mi rri mamasë afër aman.

Tire Dervishi: Të gjithë mjekët janë aty

Vajza: Aman o Tire mos u largo, po më plas shpirti

Tirja: Nuk e di se çfarë barre kam, jam këtu te mami

Vajza: Jepu mjekëve dhe infermierëve sa të duan, vetëm mamin ta kem mirë.

Ndërkohë ka reaguar menjëherë dhe Ministria e Shëndetësisë e cila urdhëron që të shkarkohet menjëherë sanitarja Tire Dervishi dhe autoritetet të marrin masat e duhura.

Reagimi i plotë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon me forcë veprimin e paligjshëm dhe korruptiv, të sanitares me inicialet T.A., tē spitalit “Shefqet Ndroqi”, i bërë publik sot në emisionin investigativ “STOP”. Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar drejtorisë së spitalit “Shefqet Ndroqi” shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të sanitares me inicialet T.A. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon autoriteteve kompetente, të kryejnë sa më parë hetimin e këtij rasti, për t’i shkuar deri në fund. Akti i izoluar i një punonjëseje të papërgjegjshme, nuk mundet kurrsesi të njollosë punën e jashtëzakonshme dhe sakrificën e mijëra mjekëve dhe infermierëve në të gjithë Shqipërinë, në këtë kohë të vështirë të pandemisë.

Shpërndaje
Share.

Komento