Skip to content
Kryesore

Rrëmbimi i Jan Prengës, mbahet në GJKKO seanca për Festim Bexhdilin

· 2 min lexim

Në Gjykatën e Posaçme të Apelit po zhvillohet rigjykimi ndaj Festim Bexhdilit, i dyshuar si një nga të përfshirët në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar 2020, në Kamëz.

Fillimisht, Bexhdili u dënua me burgim të përjetshëm, por pas vendimit të Gjykatës së Lartë çështja u rikthye për shqyrtim në Apel.

Gjatë seancës së së mërkurës, avokati Ilir Murati kërkoi marrjen në pyetje të bashkëpandehurve Aldo Majnishta dhe Dritan Rexhepi, duke pretenduar se klienti i tij nuk ka përdorur komunikimin e enkriptuar në platformën EncroChat.

Ndërkohë, SPAK këmbëngul se Bexhdili ka zotëruar një telefon EncroChat, i sekuestruar gjatë arrestimit, edhe pse komunikimet nuk janë zbardhur.

Sipas prokurorisë, ekzistojnë komunikime të zbardhura në platformën SKY ECC, ku Altin Hajri, një tjetër i përfshirë në çështje, ka biseduar me Dritan Funiqin, i cili udhëzon që Bexhdili “të mbajë gojën mbyllur”.

Avokati kundërshtoi këtë version, duke kërkuar thirrjen e një eksperti për të analizuar pamjet e kamerave të sigurisë, por edhe kjo kërkesë u refuzua nga gjykata.

Po ashtu, togave të zeza iu paraqit edhe një kërkesë për marrjen në pyetje të shtetases E.K., për rolin e saj të mundshëm në këtë ngjarje dhe lidhjen me Bexhdilin, por edhe ajo u rrëzua nga trupa gjykuese.