Skip to content
Të Gjitha

Rrëmbimi dhe vrasja makabre e Jan Prengës/ Policia arreston një prej të dyshuarëve, pjesë e grupit Doçi

· 2 min lexim

Pak muaj pas vrasjes makabre të Jan Prengës në zonën e Shijakut, si hakmarrje ndaj vëllait të tij, për prishjen e pazareve të drogës në Britani, mësohet se ditën e sotme është arrestuar një prej rrëmbyesve të dyshuar.

Sipas “Balkanweb” bëhet fjalë për personin Martin (Gentian) Bleta.

Dyshohet se ky shtetas është ndaluar në Poloni për verifikim.

Rrëmbyesi i dyshuar që është arrestuar ditën e sotme, mban emrin Gentian Bleta, të ndryshuar nga Martin Bleta që e ka pasur më herët.

Edhe në kërkim ndërkombëtar është shpallur personi me emrin Martin Bleta.

Mësohet se Interpoli po bën verifikimet sipas procedurave, nëse është ky personi i dyshuar që është ndaluar ditën e sotme.

Kujtojmë këtu se Jani Prenga u mor peng në 17 janar 2020 në zonën e Kamzës.

Ai u dërgua në resortin e Altin Hajrit në Shijak, ku u torturua në mënyrë makabre.

Dyshohet se Prenga humbi jetën si pasojë e dhunës së ushtruar nga pengmarrësit.

Këta të fundit vendosën që të zhdukin trupin e viktimës.

Edhe pas kërkimeve në zonën e Shijakut, trupi i tij ende nuk është gjetur.

49-vjeçari ishte babai i 5 fëmijëve dhe ka 4 vëllëzër, njëri prej të cilëve është bërë shkak edhe për pengmarrjen e tij.

Vëlli i Janit, Astrit Prenga i bllokoi një dërgesë kokaine një tjetër shqiptari, Dritan Rexhepaj i cili ndodhet në burg në Ekuador.

Kjo ngjarje është bërë shkak për pengmarrjen e Janit, në formë presioni për të liruar ngarkesën, por gjatë pengmarrjes vëllai i Astritit, Jan Prenga humbi jetën.

Për ngjarjen deri më sot janë arrestuar Bajram Hajri, Leonard Hajri, Olsi Turja, Elton Hajri, Festim Bixhdili dhe Ardian Doçaj.

Dje u shoqërua në polici edhe pajtuesi i gjaqeve, i cili ndërhyri për të shpëtuar Jan Prengën nga duart e rrëmbyesve.

Mësohet se Nikollë Shullanit i janë çuar 2 fletë thirrje për të dëshmuar në SPAK por nuk i është përgjigjur kurse herën e tretë Prokuroria kërkoi ndihmën e Policisë.