Skip to content
Të Gjitha

Rikthimi i Jozefina Topallit/ Ish-kryeparlamentarja gati për angazhimin politik. Ja kur nis lëvizja

· 3 min lexim

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, duket se ka vendosur që t’i rikthehet politikës dhe për këtë ka vendosur edhe objektivat e saj. Në qendër të axhendës së “gruas së hekurt” duket se do të jenë jo vetëm qeveria “Rama” dhe socialistët në pushtet, por edhe opozita e drejtuar nga Lulzim Basha.

Pas disa vitesh ndërprerje dhe lënie disi në harresë, ish-numri dy i Partisë Demokratike, po synon që të krijojë një forcë politike që të zërë vendin e saj dhe të mbledh rreth vetes demokratët e zhgënjyer.

Topalli ka treguar se, do të bashkohet me partinë “Lëvizja për ndryshim”, ndërsa tha se, projektin e ri do ta bëjë publik të mërkurën e 28 tetorit.

“Unë nuk do rri të bëj sehir. Nuk kanë qëndruar as në vitin 97 kur kam rrezikuar jo një herë por disa herë të lija dhe fëmijët e mi jetim. Nuk do bëj sehir as sot.

Dhe as nuk impresionohem nga asnjë sjellje enveriste! Dëgjoj sulmet e një pale e pastaj të palës tjetër që për karriget e tyre merren vesh aq bukur dhe më kujtojnë vetëm fletërrufetë e kohës së vjetër. Unë të vërtetat e mia me parti pa parti do t’i them .E vërteta është Liria ime. Të mërkurën do i bashkohem një grupi që quhet “Lëvizja për Ndryshim”,- u shpreh ajo një ditë më parë për mediat.

Më tej, ish-kryeparlamentarja theksoi: “Nuk është Parti. As ka lidhje me Parti. Ata shohin që vendi po boshatiset. E shohin si dramë dhe duan ta bëjnë kauzën e tyre. Unë do ti mbështes. Po të ketë iniciativa të tjera, lëvizje të tjera që synojnë të mirën e njerëzve e të vendit  prapë do ti mbështes. Por ajo nuk është Parti. Por që të kesh frikë nga partitë në pluralizëm më çudit e më bën të mendoj”.

Kujtojmë se Jozefina Topalli, nuk ka qenë aktive në politike që në vitin 2017, kur kryetari i “Republikës së Re”, Lulzim Basha, e hoqi nga listat e deputetëve.

Ajo nuk u angazhua në asnjë parti tjetër politike, ndërsa nuk i ka kursyer kritikat për Bashën në daljet e saj në media apo në rrjetet sociale.

Rezervat për PD-në dhe ambasadorët

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ka deklaruar se nuk do t’i tradhtojë parimet e forcës ku u angazhua për më shumë se dy dekada, pavarësisht se nuk e ka fshehur pakënaqësinë për gjendjen e PD-së.

Ajo nuk i kurseu as hironitë në daljen e saj të fundit në media për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, teksa tha se, ajo nuk do të sulmojë faqen e Facebook të SHBA-ve apo të ambasadorëve të tjerë kur punët e karriges nuk shkojnë mirë.

“Angazhimi im në çështje publike dhe politike është i gjatë. Për paradokset e historisë sonë, në fakt ka qenë e përcaktuar që para se të lindja. Ndaj dhe kam thënë se unë kam qenë me Partinë Demokratike që para se të lindja.

Kjo ka qenë e lidhur me historinë dhe fatin e familjes sime, të qytetit ku kam lindur e rritur dhe të vendit tim. Unë jam në bindje europianiste.

Nuk sulmoj faqen e Facebook të SHBA-ve apo të ambasadorëve të tjerë të perëndimit kur punët e karriges nuk shkojnë mirë, përmes rrogëtarëve të kunatit”,- theksoi Topalli.

/GazetaReforma.com/