Rikthehet të hënën Këshilli Politik, Gjiknuri kërkon të diskutohet për Ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Partia Socialiste ka kërkuar mbledhjen e Këshillit Politik. Lajmin e ka bërë të ditur përfaqësuesi i maxhorancës në këtë Këshill Damian Gjiknuri.

Përmes një letre, Gjiknuri i ka kërkuar Oerd  Bylykbashit, Petrit Vasilit e Rudina Hajdarit, që të zhvillojnë  një takim më datë 14 shtator, ora 18:00 me qëllim vijimin e diskutimit për reflektimin ndryshimeve në Kushtetutë tek Kodi Zgjedhor.

Gjiknuri thekson se mbledhja duhet zhvilluar pasi ndryshimet Kushtetuese përmes listave të hapura nevojitet që të reflektohen në Kodin Zgjedhor.

Letra e plotë

Të nderuar koleg,

Siç jeni në dijeni, në seancën e datës 30 Korrik 2020, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin për ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nismë e 28 deputetëve të opozitës parlamentare.

Këto ndryshime në Kushtetutë sanksionuan hapjen e listave të kandidatëve duke u dhënë të drejtën qytetarëve për të votuar përveç subjektit politik edhe për kandidatin e tyre të preferuar.

Pas hyrjes së tyre në fuqi, Konferenca e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare në Kuvend ka përcaktuar nevojën për reflektimin në Kodin Zgjedhor të këtyre ndryshimeve Kushtetuese.

Ditën e Hënë, 14 Shtator, është përcaktuar  mbledhja e Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore ku do të miratohet krijimi i një grupi pune për reflektimin e ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor.

Në frymën e dialogut të konsoliduar mes palëve në tryezën e Këshillit Politik, me synim arritjen e një konsensusi sa më të gjërë në këtë proces, propozoj thërritjen e tryezës së Këshillit Politik ditën e Hënë, datë 14 Shtator, ora 18:00.

Tryeza propozoj të mbahet si gjithnjë në ambientet e sallës ovale të Pallatit te Kongreseve.

Faleminderit,

Damian Gjiknuri

Shpërndaje
Share.

Komento