Fillimi i vitit të ri shkollor, Manastirliu:”Nuk do të jetë e lehtë, por duhet të respektojmë masat për parandalimin e COVID-19”

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Në prag të hapjes së shkollave, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar një mesazh për nxënësit, mësuesit dhe prindërit duke i siguruar që strukturat shëndetësore janë në gatishmëri dhe duke kërkuar bashkëpunimin e të gjithëve për të përballuar këtë sfidë.

“Periudha që po afron nuk do të jetë e lehtë dhe përveç forcimit të kapaciteteve të sistemit shëndetësor, për të cilat kemi marrë masa në planin e Vjeshtë-Dimrit, kërkon gjithashtu angazhimin e të gjithë qytetarëve, veçanërisht çdo prindi, për rolin e rëndësishëm që duhet të luajë secili prej nesh, për të frenuar përhapjen e Covid19. Strukturat e sistemit shëndetësor janë në gatishmeri për t’ju përgjigjur çdo problematike, si dhe për të identifikuar dhe izoluar në kohë çdo rast të dyshuar”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu bën apel për respektimin e rregullave të vendosura nga nxënësit dhe mësuesit, si e vetmja mënyrë për të frenuar sa më shumë përhapjen e infeksionit.

“Duhet të mësohemi me maskën. Për çdo shqetësim, duhet të kontaktoni koordinatorin e shkollës, i cili sinjalizon menjëherë strukturat shëndetësore. Të kontribuojmë të gjithë për shkolla më të sigurta, për shëndetin e fëmijëve tanë, të mësuesve dhe të gjithë komunitetit!”, apelon Manastirliu.

MManastirliu u drejtohet prindërve për të marrë përgjegjësinë që ju takon në këtë moment të rëndësishëm.

“Bëhuni bashkëpunëtorët e parë me mjekun e familjes. Sinjalizojeni atë nëse ka diçka që shihni se nuk shkon te fëmija juaj. Matini çdo ditë temperaturën fëmijës para se të niset për në shkollë. Rihapja e shkollave është momenti më i mirë për të treguar se shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve janë kaq të rëndësishme për ne, ndaj s’duhet të lejojmë asgjë të na cënojë shëndetin dhe përparimin e fëmijëve dhe shoqërisë tonë”, apelon Manastirliu.

Shpërndaje
Share.

Komento