Skip to content
Kryesore

Rezoluta e PE kundër Aeroportit të Vlorës dhe HEC-it në Skavicë: Projekte që rrezikojnë natyrën

· 2 min lexim

Parlamenti Europian ka nxjerrë një rezolutë të re për procesin e zgjerimit, ku theksohet rëndësia e tërheqjes së ligjeve dhe projekteve që dëmtojnë mjedisin dhe biodiversitetin në Shqipëri.

Dokumenti shpreh qartë se mbrojtja e natyrës është kusht i pandryshueshëm për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Eurodeputetët kërkojnë nga Shqipëria hapa konkrete për të mbrojtur trashëgiminë natyrore dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje, në përputhje me konventat ndërkombëtare të Aarhus dhe Espoo.

Viktor Berishaj nga organizata gjermane EuroNatur thekson se mbrojtja e mjedisit duhet të jetë prioritet në procesin e reformave të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në vitet e fundit, ndryshimet ligjore në Shqipëri, që ndikojnë në zonat e mbrojtura, kanë shkaktuar reagime të forta nga organizatat mjedisore. Projektet e diskutueshme, si Aeroporti i Vlorës në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë dhe hidrocentralet në Vjosë dhe Skavicë, janë pika shqetësimi.

Megjithëse Parlamenti Europian ka përshëndetur shpalljen e Vjosës si Park Kombëtar, ai i bën thirrje Shqipërisë të tërheqë ligjet dhe projektet që kërcënojnë mjedisin.

Në rezolutë theksohet shqetësimi mbi ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat hapin rrugën për ndërtimin e infrastrukturave të mëdha turistike në zona ekologjikisht delikate. Deputetët kërkojnë tërheqjen e menjëhershme të këtyre ndryshimeve për t’u përputhur me standardet e BE-së.

Gjithashtu, autoritetet shqiptare nxisen të menaxhojnë habitatet e specieve në rrezik, veçanërisht Rreqebullin e Ballkanit, dhe të ndalojnë projektin e hidrocentralit të Skavicës mbi lumin Drin, i cili do të kishte pasoja serioze ekologjike dhe sociale.

Gabriel Schwaderer, drejtues i EuroNatur, i bën thirrje qeverisë shqiptare të tregojë seriozitet në angazhimin për anëtarësim në BE, duke ndaluar projektet që dëmtojnë zonat e mbrojtura dhe shkelin ligjet mjedisore.

Ai thekson se progresi në negociata varet nga përparimi real në mbrojtjen e natyrës, dhe se masa kryesore është ruajtja e trashëgimisë natyrore, jo sakrifikimi i saj për zhvillime të përkohshme./ Reporter.al