Skip to content
Kryesore

Revolucioni i Flamingove rikthehet në Parlamentin Evropian, kërkohet debat në seancën plenare të Strasburgut

· 2 min lexim

Revolucioni i Flamingove është rikthyer sërish në Parlamentin Evropian, ku eurodeputeti i grupit të së majtës, Pasquale Tridico, organizoi një takim për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe pjesëmarrjen qytetare në Shqipëri.

Në qendër të diskutimit ishte protesta qytetare kundër shkatërrimit të natyrës dhe projekteve në zona të mbrojtura, veçanërisht rasti i Vjosë-Nartës dhe Zvërnecit.

Tridico deklaroi se eurodeputetët mbështesin shqetësimet e qytetarëve shqiptarë dhe kanë kërkuar që kjo çështje të futet në rendin e ditës të seancës plenare të Parlamentit Evropian, që do të mbahet javën e ardhshme në Strasburg. Kërkesa është ende në shqyrtim nga Kryesia e Parlamentit.

Në takim morën pjesë eurodeputetë, përfaqësues të partive të majta nga disa vende europiane dhe pjesëtarë të diasporës shqiptare.

Paneli u përbë nga Rudina Jasini, Brunela Mertiri, Marjana Koçeku, Mirza Balaj dhe Denisa Kasa, të cilat folën për protestat, dëmtimin e zonave të mbrojtura, mungesën e transparencës, përgjegjësinë politike dhe nevojën që qytetarët të kenë rol real në vendimmarrje.

Rudina Jasini e cilësoi çështjen si problem kushtetues, ndërsa Brunela Mertiri tha se shqiptarët vazhdojnë të largohen nga vendi për të njëjtat arsye që i kanë shtyrë të emigrojnë edhe më parë. Marjana Koçeku kërkoi që integrimi europian të mos mbetet vetëm proces teknik, por të lidhet me demokracinë dhe pjesëmarrjen qytetare.

Denisa Kasa, nga PPNEA, theksoi se dëmtimi i dunave në Vjosë-Nartë është i pakthyeshëm dhe se Bashkimi Evropian duhet të mbajë përgjegjësi edhe për kompanitë e regjistruara në vendet anëtare që veprojnë në Shqipëri.

Në përgjigje, Tridico tha se çështja është komplekse dhe lidhet edhe me direktivat e Bashkimit Evropian për financimet dhe taksat. Ai shtoi se eurodeputetët po shqyrtojnë hapa të mëtejshëm për ta adresuar këtë problem.

Në fund, një prej eurodeputetëve të pranishëm deklaroi se ajo që po ndodh në Shqipëri është një sinjal edhe për vetë Bashkimin Evropian, duke i cilësuar protestuesit shqiptarë si shembull të angazhimit qytetar.