Skip to content
Bota

Rëndohet bilanci në Haiti, më shumë se 700 viktima nga tërmeti, mijëra të plagosur

· 2 min lexim

Tragjedia në Haiti është rënduar edhe më shumë, teksa numri I viktimave nga tërmeti  ka shkuar në të paktën 724 të dielën.

Kishat, bizneset, shkollat ​​dhe shtëpitë u shkatërruan nga tërmeti i së shtunës që ishte  7.2 ballë dhe la të paktën 2,800 njerëz të plagosur, tha agjensia e mbrojtjes civile e vendit në një përditësim.

Dëmet e mëdha u raportuan në qendër të qytetit të Jeremie, shtëpia e rreth 200,000 njerëzve dhe e përbërë kryesisht nga ndërtesa njëkatëshe. Dëmi në qytetin Les Cayes gjithashtu dukej të ishte imadh, përfshirë shembjen e një hoteli shumëkatësh.

Mes frikës së vazhdueshme nga tërmetet, pothuajse e gjithë popullsia e atij qyteti e kaloi natën e së shtunës jashtë, duke fjetur para shtëpive të tyre – ose atë që kishte mbetur prej tyre.

Përpjekjet e shpëtimit mund të pengohen nga Stuhia Tropikale Grace, e cila pritet të sjellë reshje të mëdha shiu dhe përmbytje të mundshme në Haiti nga e hëna vonë, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit të SHBA.

Shtetet e Bashkuara dhe kombet e tjera premtuan me shpejtësi mbështetje, me Presidentin Joe Biden që miratoi përpjekjet e menjëhershme të ndihmës.

Fqinji i Haitit, Republika Dominikane tha se po transportonte 10.000 racione ushqimore dhe pajisje mjekësore. Kuba dhe Ekuadori dërguan ekipe mjekësore ose kërkim-shpëtim. Meksika, Kili, Argjentina, Peruja dhe Venezuela gjithashtu ofruan ndihmë, ndërsa shefi i OKB -së Antonio Guterres tha se Kombet e Bashkuara po punojnë për të mbështetur përpjekjet e shpëtimit dhe ndihmës.

Kryeministri Haitian Ariel Henry, i cili vëzhgoi dëmet me helikopter, shpalli një gjendje të jashtëzakonshme për një muaj ndërsa i bëri thirrje kombit që të tregojë solidaritet dhe jo panik.