Skip to content
Kryesore

Rasti me murtajë në Postribë, drejtori i shërbimit veterinar: Nuk ka rrezik për njerëzit

· 1 min lexim

Në Shkodër është konfirmuar për herë të parë në Shqipëri një rast i murtajës së të imtave, në një fermë në zonën e Postribës.

Lajmi u dha nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Veterinar, Sulejman Kullolli, i cili sqaroi për News24 se ferma është vendosur menjëherë në karantinë dhe po merren masa për eliminimin e krerëve të prekur.

Sipas tij, zona rreth fermës do të izolohet në një rreze prej 3 deri në 10 kilometra, dhe është ndaluar çdo lëvizje kafshësh brenda territorit të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe për të frenuar përhapjen e sëmundjes.

Kullolli theksoi se murtaja prek vetëm të imtat dhe nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve. Ai garantoi se mishi dhe qumështi i prodhuar në këtë fermë nuk kanë dalë në treg dhe nënproduktet nuk përbëjnë rrezik nëse përpunohen në temperatura të larta.

Po ashtu, bëri thirrje për bashkëpunim me fermerët, duke i kërkuar të raportojnë çdo dyshim menjëherë tek shërbimi veterinar më i afërt.

Kontrollet në fermat e tjera po vijojnë, ndërsa deri tani nuk është konstatuar ndonjë vatër tjetër.