Rama tregon si do bëhet lehtësimi i masave: E nisim me makinat private, njesitë tregtare të bëhen gati

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Teksa prej ditësh ka paralajmëruar lehtësimin e masave, kryeministri Edi Rama shpjegoi se çdo gjë do bëhet hap pas hapi.

Në një komunikim me qytetarët në Facebook, Rama shpjegoi se gjithçka do të nisë me makinat private dhe me njesitë tregtare, teksa theskoi edhe njëherë se po bëhet gati për t’ju drejtuar Parlamentit për ndryshimet në Kodin Rrugor dhe Penal.

Sakaq, shtoi se tashmë shkelja e masave nuk është më kundravajtje administrative që ndëshkohet vetëm me gjobë, por penale, që varion nga gjoba, konfiskim mjeti dhe heqje lirie.

“Lehtësimi i masave do të bëhet gradualisht. Këtu nuk bëhet fjalë për mbarimin e një lufte që po presim gjermanin e fundit të largohet dhe do këndojmë himnin. Do fillojë gradualisht hapja e makinave private. Por nëse ti e përdor makinën tënde që shkon në punë, për të bërë edhe gjëra të tjera, apo për të marrë edhe dikë tjetër me vete, atëherë ty të hiqet leja e drejtimit dhe të merret makina. Nuk bëhet fjalë për muaj por për vite. Do të bëhemi gati edhe për hapjen e njësive tregtare. Por të gjithë ata që do hapin dyqanet duhet të përgatiten për masat mbrojtëse, që të jenë gati kur të nisim hapjen.Dhe shkelja e masave nuk është më shkelje administrative, por penale dhe çon në heqjen e lirisë tuaj. Ju nuk mund të dilni në lagje e të bëheni rrezik për të gjithë njerëzit. Për popullin nuk ka gjoba. Gjobat dhe ndëshkimet janë për ata që shqetësojnë popullin dhe kërcënojnë shëndetin e popullit dhe vënë në rrezik shëndetin e tyre.”- shpjegoi kryeministri Rama.

Më tej, Rama është shprehur se nuk  merr mendjen e opozitës për numrin e testeve, sepse ajo vazhdon dhe rrotullon pllakën e gramafonit.

Kryeministri mohoi të ketë gënjyer për numrin e testeve, por ka thënë se qeveria varet nga strategjia e Komitetit Teknik.

“Sot partia e Ndrecës ka dalë sot dhe ka thënë se ne kemi genjyer kur kemi thënë se kemi 2 mijë teste. Unë kam thënë se testet janë pjesë e vendimit të Komitetit Teknik dhe ne do u bindemi atyre. Unë kam thënë se nëse Komiteti Teknik do thoshte 2 mijë teste në ditë, ne do i bëjmë edhe 3 mijë edhe 5 mijë. Këta vazhdojnë dhe rrotullojnë pllakën e gramafonit dhe nuk e kuptojnë që jemi në luftë. Kurrë, as në këtë botë dhe as në tjetrën nuk mund të marr mendjen e PD-së për testet. 7 herë e 7 bëjnë 42. Kurrë! Ne s’na mungon asgjë, na mungon vetëm logjika e asaj që e quan veten Opozitë,”- tha Rama.

Shpërndaje
Share.

Komento