Kryeministri Rama pas takimit të djeshëm me studentë dhe pedagogë të fakultetit të Gjeologjisë, ka vijuar sot me një takim tjetër me studentët dhe pedagogët e Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Edi Rama, sapo mori fjalën tha se kishte shkuar të dëgjojë dhe pastaj të përgjigjet.
Një studente e pyeti nëse po zbatohet ligji për tarifat pasi sipas saj ajo e kishte tarifën 300 mijë lekë të vjetra dhe paguante 320mijë , ndërkohë edhe një student tjetër u shpreh se ka shumë akoma për të bërë sepse edhe laboratorët kanë nevojë për përmirësim.
Kryeministri u tha se studentët duhet të dialogojnë që në këtë menyrë të zgjidhet ҫdo gjë. Ai u shpreh se nuk ka vend në botë që studentët duan zgjidhje dhe nuk duan dialog dhe u kërkoi atyre që të gjenin një rast që ndodh kështu siҫ po ndodh këtu, që refuzohet dialogu.
Rama tha se e folura me forcë dhe pa argument nuk ka vlerë. Ai tha se studentët e sotëm janë shumë larg studentëve të dhjetorit të parë pasi ata atëherë kërkuan të flasin përballë me përfaqësuesin e diktaturës, folën dhe fituan.
Kryeministri tha megafoni përdoret kur nuk dëgjohesh, jo kur dëgjohesh plotësisht dhe nëse ata nuk flasin, do rrezikojnë atë që krijuan vetë.
“Megafoni është një mjet që e kam përdorur dhe unë. Megafoni është shumë i nevojshëm kur s’të dëgjon njeri. Por kur atij që ti i bërtet me megafon thotë të dëgjova, ti i thua hajde ulemi dhe thotë nuk ulem, atëherë ka një problem me ty,”- u shpreh Rama.