Skip to content
Politikë

Rama bie dakord me kërkesën e PD, mbështet ngritjen e komisionit për Reformën Zgjedhore

· 2 min lexim

Kryeministri Edi Rama ka rënë dakord për të ngritur menjëherë Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, pas kërkesës të bërë nga Partia Demokratike.

Rama ka dhënë dakordësinë e tij në mbledhjen me drejtusit e qarqeve në selinë e Partisë Socialiste, ndërsa PD depozitoi sot në Kuven kërkesën për ngritjen e një komisioni për një Reformë të re Zgjedhore. Në dokumentin e depozituar nga PD thuhej se janë konstatuar pesë tipologji shkeljesh të rënda që cenuan procesin demokratik të zgjedhjeve të 25 prillit që vijojnë si më poshtë:

  1. Shitblerja masive e votës, e realizuar nga bashkëpunimi i kandidatëve të mazhorancës me elemente të krimit të organizuar
  2. Shkrirja e shtetit dhe Partisë në pushtet në një të vetëm
  3. Vjedhja dhe përdorimi i paligjshëm i të dhënave personale dhe sensitive
  4. Ndalimi antikushtetues i të drejtës së emigrantë për të marrë pjesë në zgjedhje, veçanërisht atyre që jetojnë në Republikën e Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut
  5. Ndryshimet e njëanshme në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor, që sollën heqjen e koalicioneve dhe një format flete votimi, që prodhoi 83 mijë fletë votimi të pavlefshme.

Sipas PD, këto problematika dhe të tjera, gjithashtu rekomandimet në raportin e OSBE/ODIHR meritojnë trajtim të veçantë nga Kuvendi, për t’u adresuar nëpërmjet nismave ligjore.