Skip to content
Aktualitet

Qytetarët e revoltuar në këmbë para Kryeministrisë: “Po na pinë gjakun”!

· 2 min lexim

Mbrëmjen e sotme për gati 3 orë protestuesit para kryeministrisë ende nuk janë larguar. Ata kërkojnë ndërhyrje nga shteti për të mos lejuar rritjen e çmimeve. Një prej tyre ka thënë se ka dalë në protestë për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tij.

“Po na pinë gjakun e fëmijëve, turp të kenë. Nuk jemi me politikë duam bukën e gojës. Të zhduket Edi Rama se na ka lodhur…Do qëndrojmë këtu deri sa Rama të mos na pijë gjakun e fëmijëve. Po na shkon thika te fëmijët sepse vetë kemi mbaruar. Gënjejnë çdo ditë në Parlament”, tha ai.

Ndryshe nga protestat e tjera, kjo e sotmja e thirrur nga shoqëria civile ka prezencë edhe të fëmijëve të vegjël pasi familjet i kanë marrë me vete vogëlushët. Një moment një vogëlushe u ngjit në podiumin e improvizuar dhe i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama.

“Përshëndetje, unë dua të jetoj në Shqipëri. Por nuk kam si të jetoj në këtë vend kur Shqipëria bëhet një vend kaq i shëmtuar”, tha vogëlushja.

Si rrallë herë ditën e sotme, shoqëria civile ka reaguar duke protestuar për të drejtat e tyre pasi siç thonë qytetarët e kanë të pamundur të jetojnë me këto çmime që kanë shukuar në stratosferë. Mes qytetarëve bie në sy prezenca e familjarëve ku nuk kanë munguar as fëmijët e tyre të cilët i mbajnë në krah.

“Rama ik…Rama ik”, “Ulni taksat”, “Poshtë qeveria”, “Rama o hajdut, o legen, prite popullin se po vjen”, janë disa nga thirrjet e qytetarëve të cilët në një moment bëjnë gjestin e bukur duke ndezur dritat e telefonit për të krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme.