Skip to content
Aktualitet

QKB mbetet në harresë, afati për regjistrimin e bizneseve me pronarë të panjohur ka kaluar prej kohësh

· 3 min lexim

Në janar të këtij viti Qendra Kombëtare e Biznesit u bëri thirrje bizneseve me pronar të panjohur të bënin regjistrimin në Regjistrin e Pronarëve Përfitues (RPP), sipas kërkesave të Ligjit nr. 112/2020 dhe VKM nr. 1088, datë 24.12.2020. Por nga atëherë, çdo gjë ka mbetur në harresë.

“Regjistrimi bëhet me aplikim nga personi i autorizuar (përfaqësuesi ligjor) për të përfaqësuar subjektin tuaj, nëpërmjet shërbimit “regjistrim i pronarit përfitues”, në portalin e-albania.

…Në aplikim, duhet të bashkëlidhet dokumentacioni i nevojshëm shoqërues, të tillë si: dokumenti i identifikimit të individit të regjistruar si pronar përfitues dhe ekstrakti i subjektit tuaj; ekstrakti i personit juridik që zotërohet nga individi i regjistruar dhe rezulton ortak/aksion në subjektin tuaj (pronësia indirekte); statuti/aktet e brendshme të shoqërisë; kontrata apo cdo dokument tjetër që vërteton se, individi i regjistruar është pronari përfitues i subjektit tuaj, sipas pronësisë direkte apo indirekte.

…Aplikimi dhe dokumentet shoqëruese në format elektronik, shqyrtohen brenda dy ditë pune, nga nëpunësit e autorizuar të QKB-së, duke vendosur miratimin ose refuzimin e tij sipas kërkesave të VKM-së, vendimmarrje e cila publikohet në RPP gjithashtu, njoftohet nëpërmjet postës elektronike të deklaruar prej jush.

Lutemi, që aplikimi të kryhet brenda afatit 60 ditor, nga krijimi i RPP sipas nenit 15, të ligjit, pasi në të kundërt shoqërohet me penalitet sipas percaktimit te nenit 13, te ligjit nr.112/2020 dhe ndërperje shërbimi në në Regjistrin Tregtar, deri në regjistrimin e të dhenave si dhe shlyerjen e detyrimit”, thuhej në njoftimin e QKB-së.

Mirëpo pas kësaj nuk ka pasur asnjë njoftim nga ana e Qendrës Kombëtare të Biznesit për këtë çështje. Afati fillestar për regjistrimin ka qenë më 31 janar 2021, por QKB e shtyu me 60 ditë, duke e bërë afatin e fundit 31 marsin. Por prej atëherë, QKB nuk është kujtuar më për pronarët e këtyre bizneseve. Në njoftimin e publikuar në fillim të këtij viti, bëhej me dije se vonesat do të shoqëroheshin me penalizime.

“Lutemi, që aplikimi të kryhet brenda afatit 60 ditor, nga krijimi i RPP sipas nenit 15, të ligjit, pasi në të kundërt shoqërohet me penalitet sipas percaktimit te nenit 13, te ligjit nr.112/2020 dhe ndërperje shërbimi në në Regjistrin Tregtar, deri në regjistrimin e të dhenave si dhe shlyerjen e detyrimit”, thuhej në njoftim.

Tashmë thuajse 10 muaj më vonë, QKB nuk ka bërë me dije nëse regjistrimet janë kryer në kohë dhe nëse nuk janë bërë, a ka pasur penalitete ashtu siç paralajmërohej, ndërkohë pritet të paktën një njoftim i radhës për të informuar mbi situatën.