Qeveria ndryshon ‘rentën minerare’/ Për tre vite nga kjo taksë, zero të ardhura. Ja sa bëhet më pas…

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Qeveria duket se po favorizon subjekte të caktuara që shfrytëzojnë licencat minerare, pasi për taksën e produktit të tyre që njihet si “renta minerare”, shteti ka vendosur që ta zerojë.

Duke rishikuar ligjin ekzistues, qeveria ka vendosur që për një periudhë 3-vjeçare nga periudha aktuale, të lërë rentën minerare në 0 për qind, kurse në vijim ajo të jetë sa 1/3 e normës së rentës.

Vendimi i qeverisë pritet të hyjë në fuqi pas kalimit të hallkave të nevojshme të diskutimit në komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, e mbase më pas edhe atë të Ekonomisë, si dhe në publikimin në Fletoren Zyrtare.

Qeveria ka ndërhyrë kështu në nenin 4 të ligjit “Për Taksat Kombëtare”, ku përcaktohet niveli i tyre, duke ndërhyrë në paragrafin e parë dhe të tretë.

Sipas ligjit në fuqi, “përqindja e rentës minerare për përmbajtjen e mineralit metalor në nënproduktin minerar, është në masën sa 3/7 e normës së rentës për vitin 2019, 3/8 e normës së rentës për vitin 2020 dhe 1/3 e normës së rentës për vitin 2021 e në vijim së përcaktuar në shtojcën nr. 2, “Grupi i parë (I) Mineralet metalike” që i bashkëlidhet këtij ligji”

Po kështu në paragrafin e tretë të ligjit në fuqi thuhet se “në rastin e shitjes së mineralit të grupit të parë (I), “Mineralet metalike”, për përpunim brenda vendit, nga nxjerrësi te përpunuesi, përqindja e rentës aplikohet në masën sa 3/7 e normës së rentës për vitin 2019, 3/8 e normës së rentës për vitin 2020 dhe 1/3 e normës së rentës për vitin 2021 e në vijim së përcaktuar në shtojcën nr. 2, mbi vlerën (çmimin) e shitjes, e cila, për efekt të përllogaritjes së rentës minerare, nuk mund të jetë më e vogël se çmimi i shitjes për eksport të mineralit të papërpunuar”

Ndryshimet sipas vendimit të qeverisë

Në vendimin e qeverisë është ndryshuar niveli i rentës duke nënvizuar se, përqindja e saj për përmbajtjen e mineralit metalor në nënproduktin minerar, është në masën 0%, për periudhën nga hyrja në fuqi e këtij ligji, deri për një periudhë 3-vjeçare dhe 1/3 e normës së rentës për periudhën në vijim.

I njëjti ndryshim bëhet edhe në paragrafin tre të pikës katër në nenin 4 të ligjit.

“Në rastin e shitjes së mineralit të grupit të parë (I), “Mineralet metalike”, për përpunim brenda vendit, nga nxjerrësi te përpunuesi, përqindja e rentës aplikohet 0% për periudhën nga hyrja në fuqi e këtij ligji deri për një periudhë 3-vjeçare dhe 1/3 e normës së rentës për periudhën në vijim së përcaktuar në shtojcën nr. 2, mbi vlerën (çmimin) e shitjes, e cila, për efekt të përllogaritjes së rentës minerare, nuk mund të jetë më e vogël se çmimi i shitjes për eksport të mineralit të papërpunuar.

/Burimi: Monitor.al/ GazetaReforma.com/

Shpërndaje
Share.

Komento