Lufta në Lindjen e Mesme i gjeti të papërgatitura shumë qeveri, por jo të gjitha reaguan njësoj. Disa zgjodhën të ndajnë barrën me qytetarët. Të tjera, si Shqipëria, zgjodhën të akumulojnë të gjithë fitimin në buxhet.
Edhe shtete shumë më të pasura se ne lëvizën shpejt për të mbrojtur konsumatorin. Gjermania, ekonomia më e madhe e Europës, miratoi këtë muaj një paketë lehtësimi që ul taksën e energjisë për benzinën dhe naftën me rreth 17 euro centë për litër për dy muaj, me një kosto totale rreth 1.6 miliardë euro për buxhetin.
Qeveria gjermane kërkoi shprehimisht që kjo ulje të kalojë e plotë te konsumatori. Nëse kjo ndodh, një drejtues mjeti kursen rreth 8.5 euro për një furnizim tipik prej 50 litrash. Vetë Reuters thekson se në Berlin, debati nuk ishte nëse qytetari duhet ndihmuar, por si të garantohet që ulja të mos mbetet te kompanitë e naftës.
Ky është ndryshimi thelbësor mes një shteti që e sheh krizën si ngjarje për t’u administruar që të mos shndërrohet vetëm në barrë publike dhe një shteti që e sheh thjesht si burim të ardhurash.
Edhe në rajon, refleksi ka qenë më i shpejtë se në Shqipëri. Serbia uli akcizën e naftës me 25%. Mali i Zi e përgjysmoi akcizën për naftën dhe e uli me 25% për benzinën. Maqedonia e Veriut uli TVSH-në e karburanteve nga 18% në 10% dhe reduktoi edhe akcizat.







