Skip to content
Kryesore

Qeveria e Kosovës reagon ashpër pas dënimit të Thaçit: Drejtësia në Hagë duhet të jetë e drejtë, transparente dhe e besueshme

· 2 min lexim

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të akuzuarve të tjerë në çështjen për pengimin e administrimit të drejtësisë, duke riafirmuar qëndrimin e saj kritik ndaj funksionimit të Dhomave të Specializuara.

Përmes një komunikate zyrtare, ekzekutivi kosovar ka ngritur sërish shqetësime për mungesën e transparencës në procedurat gjyqësore, respektimin e të drejtave të palëve dhe garantimin e standardeve të një procesi të drejtë.

Qeveria thekson se pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i vendimeve janë parime themelore të sundimit të ligjit, por kjo nuk përjashton të drejtën për të kritikuar mënyrën se si funksionojnë institucionet e drejtësisë.

“Pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i vendimeve gjyqësore janë parime themelore të sundimit të ligjit. Megjithatë, kjo nuk e përjashton të drejtën dhe përgjegjësinë për të ngritur shqetësime lidhur me funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Në këtë kuptim, kritikat dhe rezervat që kemi shprehur vazhdimisht ndaj Dhomave të Specializuara mbeten të qëndrueshme, veçanërisht sa i përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve të një gjykimi të drejtë. Prandaj, angazhimi ynë për sundimin e ligjit dhe insistimi për respektimin e plotë të të drejtave dhe garancive procedurale janë pjesë e të njëjtit qëndrim parimor: drejtësia duhet jo vetëm të vihet në vend, por edhe të jetë e drejtë, transparente dhe e besueshme”, thuhet në reagimin zyrtar.

Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës vjen pas vendimit të Gjykatës Speciale dhe rikthen në vëmendje shqetësimet e vazhdueshme për transparencën dhe garancitë procedurale në proceset gjyqësore që zhvillohen në Hagë.