Kanë dalë nga greva e urisë pesë banorët e fshatit Lumas, të cilët prej 10 ditësh kishin ndërmarr këtë akt për të kundërshtuar punimet që po zhvillohen mbi Kanionet e Sinecit (Saraselit). Vendimi për të dalë nga greva erdhi pas inspektimit nga IKMT-ja e Elbasanit, e cila konstatoi ditën e djeshme shkelje nga firma që ka marrë përsipër punimet mbi kanionet e Sinecit.
Për mediat ka folur edhe një nga grevistët i cili tha se vendimi për të dalë nga greva, e morën pas inspektimeve dhe pasi morën një dokument nga institucionet shtetërore. Po ashtu banori ka shtuar se beteja për mbrojtjen e Kanioneve të Sinecit nuk do të mbarojë këtu dhe se ata do të vazhdojnë deri sa të jenë të bindur se nuk do të preket asgjë në këtë zonë.
“Ne e lamë grevën nga dokumentet që kemi marrë nga institucionet shtetërore. Lufta jonë nuk mbaron këtu, ne do ta vazhdojmë deri kur të bindemi se nuk do të preket asgjë. Ne do të jemi të parët që do ta mbrojmë natyrën. Kallëzimin penal për Urën Vajgurore e kemi bërë. Ne nuk i ndahemi , se na kanë nxirë jetën 3 muaj duke sjellë policinë”, ka deklaruar një nga grevistët, ndësa shtoi: “Dolëm nga greva sepse mendojmë se e kemi plotësuar qëllimin tonë. Institucionet reaguan dhe ne dolëm nga greva”, tha një nga banorët që la grevën.
Më tej banori tha se do të mbështesin çdo kauzë për mbrojtjen e natyrës. Gjithashtu banori ka thënë se kanë “vuajtur në mënyrë më makabre nga policia”.
“Në çdo vend ku do të ketë shfarosje të bimësisë së natyrës ne do të jemi përkrah tyre sepse kemi vuajtur në mënyrë më makabre nga policia. Nuk do t’i ndahemi as Ardi Veliut, se na janë dhunuar familjet tona”, u shpreh ai.
Një tjetër grevist u shpreh për mediat se kjo betejë nuk do të mbarojë këtu dhe vazhdoi me tëj duke thënë se ka ende punë që drejtësia të vendoset në vend.
“Fjalën e kryeministrit prit se nuk keni parë gjë akoma, do ta fillojmë këtu nga Lumasi. Kemi akoma për drejtësinë për oligarkinë për njerëzit që rrinë këtu paguhen me taksat tona dhe kanë arritur dhe mbjellin edhe drogë se nuk i dalin paratë”, u shpreh ai.
Kujtojmë se banorët e fshatit Lumas kërkonin pezullimin e punimeve, për shkak se burimet e Sinecit është i vetmi burim jetese për atë zonë. Po ashtu pesë grevistët u mbyllën në katin e dytë të një banesë private në qendër të fshatit Lumas për 10 ditë. Ditën e sotme ata kanë dorëzuar në SPAK edhe një kallëzim penal për kryebashkiaken e Bashkisë Dimal, Juljana Memaj dhe administratorin e shoqërisë “Salillari” SH.P.K, Pëllumb Salillari.