Skip to content
Të Gjitha

Protestë para kryeministrisë, qytetarët kërkojnë riatdhesimin e fëmijëve të braktisur në kampet e Sirisë

· 2 min lexim

Ashtu siç ishte parashikuar përpara kryeministrisë po mbahet protesta për fëmijët shqiptarë të braktisur në kampet e Sirisë.

Qytetarët e mbledhur i bëjnë thirrje qeverisë për të rikthyer fëmijët në Shqipëri. Ndërkohë që një grup i madh njerëzish janë mbledhur për të protestuar, por policia po bën thirrje për të shpërndarë protestuesit.

Në një intervistë për ReportTv këshilltari i kryetarit të KMSH-së, Ylli Gurra ka deklaruar se qeveria shqiptare ka përgjegjësi mbi qytetarët e saj dhe duhet që sa më shpejt të ndërhyjë për të rikthyer fëmijët shqiptarë në kampin e Sirisë, në shtëpinë e tyre.

“Çdo qeveri e çdo vendi ka përgjegjësi për qytetarët e vet. I lutem zotit që të gjithë këta familjarë, vëllezër dhe motra që kanë mbetur në Siri, të kthehen në shtëpitë e tyre.

Koha dhe dita e riatdhesimit të këtyre fëmijëve të jetë sa më e shkurtër. Që të shpëtojnë jetën e këtyre fëmijëve, pa hyrë në analizë për ekstremizmin. Thirrja e vetme është që të shpëtojmë fëmijët dhe qytetarët që kanë mbetur në kampin “Al Hawal”.

Çdo kohë që kalon është humbja e fëmijëve tanë në Siri. Edhe ky do të jetë turpi më i madh i shqiptarëve”, deklaroi Gurra.

Ndërkohë në posterin kryesor që mbajnë protestuesit shkruhet :”Të harruar në Siri, kthejini fëmijët tanë në shtëpi”.

Protesta u  njoftua nga familjet e grave dhe fëmijëve të mbetur në kampin ”Al-Hawl” të Sirisë, të cilët u shprehën se protesta do të realizohet, për t’i kërkuar qeverisë që të rrisë përpjekjet për riatdhesimin e të afërmve të tyre.

Rastet e fëmijëve shqiptarë të mbetur në kampet famëkeqe të Sirisë nuk  janë të pakta. Mes shumë familjeve shqiptare në Siri, ishte rasti i vogëlushit 11-vjeçar, Alvin Berisha i cili me ndihmën e medias italiane,  “Le Ienne”  arriti të bashkohej me familjen e tij.