Këtë të premte u mbajt protesta e pestë e pedagogëve të cilët kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre, ku ndër më të rëndësishmet është rritja e pagave. Njësoj si dje pedogogët janë mbledhur tek korpusi i Universitetit Politeknik të Tiranës. Gjatë fjalës së tij kreu i sindikatës Sandër Kovaçi është shprehur se do të ketë përshkallëzim të protestës. Ata kanë njoftuar se ditën e hënë në orën 11:00 do të mbahet protestë kombëtare, ndërsa tha se nëse nuk do të ketë rritje të pagave, ata do të vijojnë protestën. Nga ana tjetër kryeministri Rama është shprehur se nuk do të ketë një rritje page për pedagogët, sado që ato janë ngritur në protestë.
“Të hënë në orën 11:00 protestë kombëtare, ku të gjithë pedagogët dhe studentët i ftojmë të jenë këtu dhe të diskutojmë. Le të kthehet ky peticion si një nismë për ndryshimin e situatës në universitete. Kërkojmë autoriteteve të dekanateve që të mbledhin Asambletë dhe të vendosin mbi mënyrën si ata do mbajnë qëndrim ndaj peticionit. Kërkojmë nga përfaqësuesit e studentëve të mblidhen dhe të diskutojnë për realizimin e këtij peticioni që kërkesat të kenë impakt të përbashkët si te pedagogët ashtu dhe tek studentët. Nëse nuk do të ketë rritje të pagave, do vijojmë me protestën”, u shpreh kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi.