Skip to content
Bota

Protestat në Kazakistan, ja thirrja e Blinken

· 2 min lexim

Ditën e sotme Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, bëri thirrje për zgjidhje paqësore të trazirave në Kazakistan.

Gjatë një bisede me homologun e tij kazak Mukhtar Tileuberdi ai po ashtu kërkoi që të ketë liri të medias. Blinken “ritheksoi mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për institucionet kushtetuese të Kazakistanit dhe për lirinë e medias dhe bëri thirrje për zgjidhje paqësore të krizës, duke respektuar të drejtat e njeriut”, tha Departamenti amerikan i Shtetit.

Blinken shkroi në Twitter se ai zhvilloi një bisedë “konstruktive” me Tileuberdi. Kjo bisedë mes dy zyrtarëve erdhi në kohën e rritjes së dhunës në qytetin Almati të Kazakistanit. Në Kazakistan, për shkak të trazirave, një aleancë ushtarake e udhëhequr nga Rusia ka dërguar trupa për t’i ndihmuar autoritetet kazake që të shtypin protestat, të cilat janë më vdekjeprurëse në tre dekadat që prej se Kazakistani shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik.

Kujtojmë se trazirat filluan kur çmimi i gazit dhe karburanteve filloi të rritet, por edhe çmimet e artikujve ushqimorë. Policia tha se godinat e administratës dhe policisë në Almaty ishin objektivi i sulmit dhe se pati një shkëmbim zjarri mes sulmuesve dhe pjesëtarëve të forcave të sigurisë dhe ushtrisë në vend.Mediat e huaja raportojnë se Rusia po dërgon trupa me kërkesë të presidentit kazak. Ata do të vendosen në Kazakistaan për të ndihmuar në “stabilizimin” e vendit, i cili është anëtar i Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) së bashku me Rusinë, Bjellorusinë, Taxhikistanin, Kirgistanin dhe Armeninë.