Protestat i dhanë jehonë ndërkombëtare Vlorës: Sazani dhe Zvërneci tërheqin edhe më shumë turistë

Sezoni turistik në Vlorë po vijon me fluks të lartë vizitorësh, ndërsa sipas gazetarit Algert Harizaj, protestat e zhvilluara në qytet nuk kanë ndikuar negativisht në ardhjen e turistëve. Përkundrazi, ai thotë se ngjarjet e fundit i kanë dhënë më shumë vëmendje ndërkombëtare zonës dhe kanë rritur interesin për destinacione si Sazani, Karaburuni dhe Zvërneci.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Now me Erla Mëhillin”, Harizaj u shpreh se, bazuar në atë që vërehet çdo ditë në terren, turistët nuk e kanë pasur protestën si faktor në zgjedhjen e destinacionit të pushimeve.
“Me çfarë unë shikoj në terren çdo ditë, qytetarët nuk e kanë pasur indikator pjesën e ndikimit nga protesta, por me çfarë shihet protesta i ka dhënë më shumë famë qytetit të Vlorës dhe plazhit të Zvërnecit, Karaburunit dhe Sazanit. Kush vjen në Vlorë, një ditë e ka të përcaktuar që shkon në Sazan, Karaburun dhe Porto Novo”, tha Harizaj.
Sipas tij, këto destinacione vijojnë të regjistrojnë një numër të lartë vizitorësh çdo ditë.
“Nga informacionet që kam unë dhe nga informacionet nga Kapiteneria e Vlorës, rreth 1000 persona shkojnë çdo ditë në këto destinacione. Më shumë kërkesa ka për ishullin e Sazanit dhe Karaburunit. Ka qindra gomone, skafe dhe mjete turistike që çdo ditë bëjnë rrugë drejt Sazanit dhe Karaburunit”, u shpreh gazetari.