Qytetarët janë mbledhur mbrëmjen e sotme për të dytën herë në protestë për të kërkuar dorëheqjen e ministrit të brendshëm Bledi Çuçi, pas vdekjes së 32-vjeçarit Lear Kurtit.
Qytetarët, të mbledhur para Ministrisë së Brendshme, kanë bërë thirrje për drejtësi për të riun dhe zbardhjen e ngjarjes e arsyes së vdekjes së tij, ndërsa në shenjë simbolike kanë hedhur miell mbi uniformat e policëve, duke ironizuar deklaratën e policisë se Leari kishte kokainë me vete.
Qytetarëve kanë hedhur edhe domate në afërsi të këmbëve të efektivëve, të cilët kanë krijuar kordon para ministrisë.
Po ashtu, ata kanë ndezur disa qirinj në kujtim të Lear Kurtit.
Protesta e qytetarëve mbështetet edhe nga kreu i PD, Sali Berisha i cili më herët ka bërë thirrje por nuk ndodhet i pranishëm në shesh.
Lear Kurti ndërroi jetë tre ditë më parë pas shoqërimit nga Policia e Shtetit.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, i riu ndërroi jetë nga një masë plastike të mbushur me kokainë të cilën dyshohet se e gëlltiti gjatë ndjekies nga policia.
Opozita dhe familjarët e Kurtit fajësojnë për vdekjen e tij, policinë, Ministrinë e Brendshme dhe qeverinë.
Pas afro një ore, ata e kanë mbyllur protestën duke paralajmëruar se do të vijojnë sërish.