Protesta më 23 dhjetor/ Burimi: Tubimet do të ndikojnë tek ndërkombëtarët

Analisti Genc Burimi, gjatë një lidhjeje direkte me News 24, komentoi zhvillimet politike në Shqipëri.
Ai vuri në dukje se tubimet opozitare pritet të ndikojnë qëndrimin e ndërkombëtarëve, duke përmendur se CDU ka përgatitur një rezolutë kritike ndaj qeverisë shqiptare.
Sipas Burimit, qëllimi kryesor i opozitës mbetet organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
“Protestat do të influencojnë qëndrimin e ndërkombëtarëve. Grupi parlamentar i CDU bëri një rezolutë masakruese për qeverinë shqiptare. Duhet qeveri teknike, që të kemi zgjedhje të lira. Këtë mund ta bëjnë vetëm ndërkombëtarët. Qëllimi i opozitës, të zhvillohen zgjedhje të lira”, tha Burimi.
Në lidhje me mandatin e Xhaçkës, Burimi vlerësoi se garant për mbrojtjen e Kushtetutës është GJK. Sipas tij, maxhoranca po jep shembull të keq, pasi i jep të drejta parlamentit më tepër sesa Gjykata Kushtetuese.
“Garant për mbrojtjen e Kushtetutës është Gjykata Kushtetuese. Në një demokraci normale, ligji parashikon se interpretimet i bën vetëm Gjykata Kushtetuese. Në demokraci, fjalën e fundit e thotë Gjykata Kushtetuese. Gjyqësori i thotë Kuvendit që më sill çështjen Xhaçka dhe Kuvendi nuk jep okej. Ky është një skandal. Maxhoranca po jep shembull të keq, vendos parlamentin mbi GJK. Xhaçka pas 2-3 muajsh nuk do e ketë mandatin e saj. Çfarë e pengon SPAK që të bëjë hetime ndaj Olta Xhaçkës dhe bashkëshortit të saj. Nuk kuptojmë dot standardin e SPAK. Unë e paragjykoj Dumanin sot. Altin Dumani mori një çmim, që është shpikur nga Biden, ku Joe Biden vetë ka amnistuar djalin e tij. Çmimi nuk ka vlerë. Unë besoj Amerikën e drejtësisë, kur medalja t’i vendoset Dumanit nga kolegët e tij, nga prokurorët amerikanë e jo politikanët”, u shpreh Burimi.