Ditën e sotme Prokuroria e Tiranës bën të ditur se mohon zyrtarisht nisjen e një hetimi përkundër asaj që u raportua dje në media për shefin e Sektorit të Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës, Erion Ismaili. Në një njoftim për mediat, Prokuroria bën me dije se nuk ka asnjë veprim hetimor për Ismailin apo një dosje në ngarkim të tij.
Reagimi i plotë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë Tiranë, duke marr shkas nga interesimi i mediave të ndryshme, si edhe nga lajmet që kanë qarkulluar nëpër media dhe portale mediatike, në lidhje me shtetasin Erion Ismaili me detyrë Shefi i Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, vlerëson të nevojshme që të informojmë opinionin publik që ky lajm nuk është i vërtetë. Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë Tiranë , nuk ka filluar veprime hetimore ndaj shtetasit Erion Ismaili në lidhje me çështjen penale nr.2306 të vitit 2023, ku rezultojnë të arrestuar shtetasit E.S, F.Q dhe M.K. Kërkojmë mirëkuptimin e medias, që para se të publikojë lajme që i përkasin çështjeve penale, që po hetohen nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë Tiranë, gjithashtu të kërkojë informacion në mënyrë zyrtare,,, me qëllim informimin e saktë të opinionit publik dhe jo vetëm.