Mbesa e ish-kreut të Përgjithshëm të Prokurorisë Adriatik Lalla, Ilda Kërkapi, është marrë e pandehur nga prokuroria e Tiranës. Mësohet se Kërkapi akuzohet për veprën penale “Mashtrimi” e kryer më shumë se një herë dhe se ka mashtruar disa persona, duke iu marrë shuma nga 2500-3000 euro me premtimin që do të mundësonte punësimin e tyre në Prokurori.
Kërkapi asokohe ka qenë praktikante pranë drejtorisë së Financave në Prokurorinë e Përgjithshme. Ajo u prezantohej personave që ka mashtruar si mbesa e Llallës, dhe si një person që kishte mundësi të ndikonte te punësimet në organin më të lartë të akuzës që ishte asokohe.
Shqiptarja.com ka publikuar dosjen e prokurorisë së Tiranës, ku qartësohet mekanizmi i skemës së mashtrimit që ka përdorur e pandehura Ilda Kërkapi. Deri në këtë fazë të hetimin, Kërkapi ka pranuar se ka mashtruar qytetaren Armira Baboçi, të cilës i ka marrë 3500 euro dhe shtetasin Blerti Osmani, të cilit i ka marrë plot 1750 euro, me qëllimin e vetëm për ta punësuar si recepsionist pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Në rrëfimin para oficerëve e dëmtuara, Armira Baboçi, ka deklaruar:”…Ilda Kërkapin e kam njohur rastësisht në parukerinë e lagjes. Prej aty kemi krijuar një marrëdhënie miqësore dhe herë pas here konsumonim ndonjë kafe pasdite. Më të flisnim për familjet tona dhe më ka treguar se vinte nga një familje e ngritur me babain prokuror pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe nënën mësuese në Vorë. Madje më ka pohuar se ishte mbesa e Adriatik Llallës dhe ky i fundit e ka ndihmuar për të filluar punë pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Ilda më ka treguar gjithashtu se ishte shtatzënë pa dijeninë e familjes, por shtatzënia s’po i shkonte mbarë dhe sipas mjekëve kishte nevojë për ekzaminim me qëllim për të ditur ecurinë se si do të veprohej më tej, nëse do ta vazhdonte shtatzëninë apo do e ndërpriste. Duke qenë se nuk fliste për këtë temë me familjen, më kërkoi ta ndihmoja me para, shuma të cilat më premtoi se do mi kthente sërish shumë shpejt. Në mirëbesim duke parë kushtet dhe rrethanat e saj, duke u konsultuar dhe këshilluar me anëtarët e familjes, vendosa t’i jap herën e parë 1500 euro.
Disa ditë më pas më ka kërkuar sërish 2000 mijë euro dhe sërish kam pranuar t’ia jap, por me kushtin që të bënim një deklaratë noteriale tek noteria Margena Çela. Eurot ja kam dhënë në 21 janar 2020 dhe të dyja së bashku ramë dakord dhe shumën financiarë do ma kthente brenda 30 ditëve. Pas përfundimit të periudhës kohore jam përpjekur të komunikoj me Kërkapin por komunikimet tona kanë qenë shumë të pakta, ndërkohë takimet thuajse fare për shkak edhe të karantinës. Në disa biseda që kam pasur me të në telefon ajo më ka pohuar se për të shmangur kthimin e borxhit ose huasë, më ka ofruar mundësinë e punësimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Por unë duke qenë se jam e punësuar, nuk pranova dhe dyshoja në vërtetësinë e fjalëve të saj. Unë ndihem e mashtruar nga mbesa e Adriatik Llallës dhe sot e kësaj dite nuk kam marrë asnjë shumë financiare nga Ilda Kërkapi…”.
Ndërkohë në një rrëfim tjetër të Blerti Osmanit, ky i fundit ka deklaruar në prokurori:“…Ilda Kërkapi ka shkruar në “Facebook” e motrës time, duke e uruar për lindjen e djalit, pasi njiheshin që në shkollën e mesme. Në bisedë e sipër Ilda i ka pohuar motrës time se punonte në Prokurorinë e Përgjithshme dhe se mund të ishin kolege nëse do ishte në Tiranë, se aty në prokurori kishte një vend pune, por për të filluar aty duhej të paguhej një shumë lekësh.
Pasi mësoi se motra ime jetonte në Itali, u hodh ideja që në punë në Prokurori të Përgjithshme të filloja unë, por që duhet të plotësoheshin dy kushte. Duhet të jepeshin 250 euro për regjistrim dhe 2500 euro që do i merrte drejtori. Unë kam marrë numrin e kontaktit të Ildës dhe së bashku jemi takuar tek 9 katëshet dhe i kam thënë që do ti gjej 2500 euro dhe në datën 3 prill 2020 jam kam dhënë këtë shumë Ildës, tek zona e Maternitetit. Nga kjo datë deri në datën 14 prill nuk kemi pasur më kontakte. Në datën 14 prill i kam shkruar që nëse i ka regjistruar aty, ku i kam thënë nëse do filloja apo jo në datën 20 prill 2020.
Atë ditë nuk më ka kthyer përgjigje por të nesërmen më ka thënë se e ka regjistruar, por kishte djalin pa qejf ndaj nuk i ishte përgjigjur. Ndërkohë në datën 23 prill Ilda më ka shkruar se duhet të paguaja dhe tarifën e regjistrimit prej 250 euro dhe se sipas saj mospagesa e kësaj shume, ka vonuar mbylljen si muhabet. Unë ia kam dhënë dhe shumën 250 euro tek kafe “Flora” dhe e kam pyetur nëse e ka mbaruar si muhabet dhe ajo më tha se e kishte përfunduar, ku të dy së bashku do takoheshin në datën 27 prill 2020.
Mirëpo ditën e hënë të 27 prillit, Ilda ka filluar të thotë se ka djalin sëmurë dhe nuk mund të takoheshim duke më siguruar se dokumentet kishin shkuar dhe unë mund të filloja punë. Me këtë justifikim më ka shtyrë disa ditë derisa në datën 30 prill 2020, më ka thënë se kishte nxjerrë djalin nga spitali dhe se në datën 1 Maj 2020 do shkonin së bashku në prokurori. Por në datën 1 maj 2020 Ilda më ka dërguar një mesazh, ku më thoshte se i ka ndërruar jetë djali. Unë e kam telefonuar disa herë deri në 3 maj por ajo më pohoi se po shkonte në prokurori me motrën e vetë. E kam humbur tërësisht besimin dhe i kam kërkuar lekët e mia mbrapsht…”.
Me të njëjtën formë ka vepruar dhe me shtetasin Real Lule, të cilin mbesa e Adriatik Llallës, e ka pasur shok klase. Lule e dinte që Ilda Kërpaku kishte kryer praktikën në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në bisedë e sipër i ka pohuar nëse kishte vende bosh për OPGJ, Oficer të Policisë Gjyqësore. Këtij shtetasi, mbesa e Llallës i ka marrë 2300 euro me premtimin se do e punësonte si OPGJ pranë Prokurorisë së Përgjithshme,por një gjë e tillë nuk ndodhi kurrë.