Skip to content
Aktualitet

Projektiligji i ri në Kosovë, Kurti: Në funksion të plotë me garantimin e votës

· 2 min lexim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas dështimit të propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje që shqyrtimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme të bëhet me procedurë të përshpejtuar në Kuvendin e Kosovës. Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti ka thënë se nuk duan ta çojnë vendin në zgjedhje të sërishme , por se kjo është në dorë të opozitës.

Postimi i plotë:

Një projektligj i vonuar e jo i nxituar

Projektligji i mbrëmshëm është në funksion të garantimit të së drejtës së votës për të gjithë qytetarët e Kosovës. Mërgata jonë, ndonëse plot vullnet e gatishmëri ta ndihmojë vendin tonë, ka hasur në pengesa të ndryshme në pjesëmarrjen e saj në jetën politike në Kosovë. Ky Projektligj e mundëson votimin e bashkatdhetarëve në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës, pra pjesëmarrjen më të lehtë në proces duke filluar që nga zgjedhjet e ardhshme.

Me anë të këtij Projektligji, synohet lehtësimi i realizimit të së drejtës elementare kushtetuese për votim dhe shprehje të vullnetit të qytetarëve të Republikës me të drejtë vote. Kjo e drejtë deri tani është penguar me qëllim dhe asnjë nga pushtetet e kaluara nuk e ka konsideruar të rëndësishme.

Ky Projektligj nuk ka të bëjë me reformën zgjedhore dhe bazohet në rekomandimet e mëhershme të Avokatit të Popullit. Kosova i ka 55 misione diplomatike (28 ambasada dhe 27 zyra konsullore) të cilat kanë edhe fah postar që duhet të jetë në funksion të pranimit të votave.

Projektligji nuk është ndonjë Ligj i ri. Ky është një Ligj të cilin ne si deputetë e patëm iniciuar që në legjislaturën e gjashtë, patëm vazhduar ta përkrahim miratimin e tij edhe në legjislaturën e shtatë, dhe tani kur janë krijuar rrethanat e përshtatshme për miratimin e tij, e aprovuam dje me opinion pozitiv në Qeveri dhe e përcollëm për miratim në Kuvend në legjislaturën e tetë.