Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, priti në një takim kortezie Michel Tarran, kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Ambasadori Tarran vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me Policinë e Shtetit në fusha si kontrolli kufitar, lufta kundër krimit të organizuar, krimeve kibernetike dhe trafiqeve të paligjshme. Ai i uroi sukses drejtuesit të policisë në detyrën e tij të re.
Gjatë takimit, Proda prezantoi prioritetet e Policisë së Shtetit, duke theksuar rëndësinë e trajnimit për zgjedhjet e ardhshme dhe forcimin e luftës kundër krimeve ndërkufitare.
Ai nënvizoi se suksesi në këto fusha varet nga mbështetja dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë.
Ambasadori Tarran e siguroi Drejtorin e Përgjithshëm se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e nevojave dhe e kërkesave të Policisë në rrugën e saj drejt fuqizimit.
Ambasadori Tarran ka theksuar se ngritja dhe funksionimi i Këshillave të Sigurisë Vendore në të gjithë vendin është domosdoshmëri dhe modeli që funksionon në Elbasan duhet të jetë busull orientimi edhe për qarqet e tjera. Ambasadori e ka falënderuar Drejtor Prodën, për mbështetjen e kësaj nisme dhe për kontributin e tij kur ishte Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, për ngritjen e këshillave të sigurisë.
Në përfundim të takimit, Drejtor Proda e ka garantuar ambasadorin se Policia është e baraslarguar nga subjektet politike dhe vlerësimin e fituar nga proceset zgjedhore të kaluara jo vetëm do ta ruajë, por do ta konsolidojë më tej.