Skip to content
Të Gjitha

Problemet e familjes Zhidru me fqinjët në Elbasan, reagon policia:”Palët ishin në gjyq”

· 2 min lexim

Gjatë ditës së sotme në media qarkulloi një e-mail dërguar Ardi Veliut nga një banore e lagjes “11 nëntori” në Elbasan, e cila kërkonte ndihmë për zgjidhjen e një konflikti me familjen Zhidru, kohë më parë.

Në lidhje me këtë letër ankesë nga shumë banorë të lagjes ka ardhur dhe reagimi nga Policia e Shtetit, e cila thotë se pas e-mailit, ankesa i është përcjellë menjëherë po atë ditë strukturave përkatëse të cilat e kanë verifikuar dhe zgjidhur problemin.

Janë thirrur dhe kontaktuar palët e përfshira në konflikt dhe prej asaj date nuk ka patur më asnjë ankesë në polici.

Sqarim i Policisë së Shtetit

Në lidhje me lajmin e publikuar në disa media se një shtetase nga lagjja “11 Nëntori”, Elbasan, i ka dërguar e-mail Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për t’i kërkuar ndihmë për një konflikt që kishte me shtetasin Lefter Zhidru, sqarojmë opinionin publik se:

Më datë 04.05.2020, në adresën zyrtare të e-mail-it [email protected], është dërguar e-mail nga zonja, e cila ka raportuar konfliktin që kishte me këtë shtetas.

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ankesa i është përcjellë menjëherë po atë ditë strukturave përkatëse.

Këto struktura kanë verifikuar dhe trajtuar problematikën, duke kryer veprimet e nevojshme, mbi bazën e procedurave standarde të punës.

Janë thirrur dhe kontaktuar palët e përfshira në konflikt dhe prej asaj date nuk ka patur më asnjë ankesë në polici. Mes këtyre dy familjeve kishte dhe një proces civil në Gjykatën e Apelit.

Policia e Shtetit fton çdo media ta kontaktojë zyrtarisht, për të shmangur informacionet e pasakta, si dhe qytetarët të denoncojnë çdo paligjshmëri, duke iu garantuar reagim me shpejtësi dhe profesionalizëm.