Sot, Kolegji i Posaçëm i Apelit ka vendosur të mbajë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ndaj gjyqtares së Gjykatës së Gjirokastrës, Blerta Marku (Çibuku), marrë tre vite më parë.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelit i përbërë nga kryesuesja Natasha Mulaj, relatori Sokol Çomo dhe anëtaret Albana Shtylla, Mimoza Tasi e Rezarta Schuetz, shqyrtoi ankimimin e bërë më 28 dhjetor 2022 nga subjekti i rivlerësimit.
Pas përfundimit të seancës në dhomën e këshillimit, bazuar në ligjin nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Kolegji vendosi në mënyrë unanime që të lërë në fuqi vendimin nr. 565 të datës 26 shtator 2022 të KPK-së, që i referohet rastit të Blerta Markut (Çibuku).
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi menjëherë. Ai u shpall sot, më 15 maj 2025, në Tiranë.