Presidenti i ri pro-serb/ Analiza e REL: A do të jetë Mali i Zi më i lidhur me Serbinë?!

Me rreth 600.000 banorë, Mali i Zi luan rol kyç në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, është faktor i rëndësishëm për NATO-n, pasi i ofron kontroll të plotë të bregut të Adriatikut. Përtej kësaj, ka statusin e vendit më të suksesshëm në rajon sa i përket procesit integrues në BE. Arkitekt i gjithë kësaj ka qenë Millo Gjukanoviç. Herë si kryeministër, herë si president, ai ka udhëhequr politikën malazeze për më shumë se 30 vjet. Ka qenë udhëheqësi më jetëgjatë i zgjedhur në Evropë. Por, kësaj epoke duket se i ka ardhur fundi më 3 prill.

“Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi kanë përfunduar. Mali i Zi e ka bërë zgjedhjen dhe unë e respektoj. Unë e përgëzoj Jakov Millatoviçin për besimin që ka marrë në zgjedhje”, ka thënë ai, pas shpalljes së rezultateve paraprake. Ka qenë kjo humbja e parë e Gjukanoviçit në zgjedhje prej se ka hyrë në politikë në fillim të viteve 1990. Kundërshtari i tij në balotazhin e 3 prillit, Jakov Millatoviç, ka fituar 59 për qind të votave. Këtë rezultat, Mali i Zi e ka pritur për më shumë se 30 vjet, ka thënë ai. “Mali i Zi po shkon përpara, drejt pasurisë, drejt barazisë, drejt një vendi të së drejtës, besimit dhe unitetit, drejt Malit të Zi evropian”, ka thënë Millatoviç, pasi ka shpallur fitoren.

Millatoviç, 36 vjeç, ekonomist i shkolluar në Perëndim, vjen nga partia “Evropa tani”, e cila është formuar vitin e kaluar dhe ka prirje të deklaruara pro-evropiane. Por, për t’iu kundërvënë Gjukanoviçit në balotazh, ai ka marrë mbështetjen e Frontit Demokratik – parti populiste e krahut të djathtë, me qëndrime të hapura pro-ruse dhe pro-serbe.

Millatoviç ka hyrë në politikë në fund të vitit 2020, si ministër i Ekonomisë në Qeverinë e Zdravko Krivokapiçit, pjesë e së cilës ka qenë edhe Fronti Demokratik. Ai është i afërt me Kishën Ortodokse Serbe, e cila ka luajtur rol të rëndësishëm në rrëzimin e Qeverisë së Gjukanoviçit në vitin 2020. Kisha, po ashtu, ka ndikuar në përbërjen e Qeverisë së Krivokapiçit, anëtar i së cilës ka qenë Millatoviç.

Si ministër, Millatoviç është konsultuar me Mitropolitin e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, për rritjen e natalitetit. Ai, po ashtu, ka mbështetur nënshkrimin e një marrëveshjeje që rregullon marrëdhëniet e shtetit të Malit të Zi me Kishën, por që, sipas ekspertëve, është e kontestueshme në aspektin kushtetues të vendit. Sa i përket politikës ndërkombëtare, Millatoviç ka thënë se nuk do të vë në pikëpyetje anëtarësinë e Malit të Zi në NATO, e as procesin euro-integrues. “Unë, si president i Malit të Zi, bashkë me të gjithë ju, do ta fusim Malin e Zi në BE, në pesë vjetët e ardhshëm”, ka thënë ai para mbështetësve në Podgoricë.

Ky zotim, megjithatë, shihet me skepticizëm nga disa njohës të çështjeve politike në Mal të Zi, për faktin se Millatoviç ka të kaluar me Frontin Demokratik pro-serb. Presidenca në Mal të Zi është post ceremonial, por fitorja e bindshme e Millatoviçit do të ketë “ndikim vendimtar” në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, që janë caktuar për datën 11 qershor, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë Sinisha Vukoviç, ligjërues i menaxhimit të konflikteve dhe politikave globale në Universitetin Johns Hopkins.

“Impulsi që është krijuar me këtë fitore të Jakov Millatoviçit, nuk do të kalojë pa u vënë re nga ana e votuesve. Do të ketë një numër të madh votuesish që do ta shohin këtë si shans për të mbështetur një opsion të ri politik – edhe pse për shumë kë, ai është i panjohur dhe vazhdon të shprehë qëndrime shumë të përgjithshme”, thotë Vukoviç.

Zllatko Vujoviç, profesor i shkencave politike në Universitetin e Podgoricës, shpreh po ashtu bindjen se partia e Millatoviçit do të tërheqë zgjedhës edhe të partive të tjera në zgjedhjet parlamentare. Nuk është e sigurt nëse “Evropa tani” do të mund ta formojë e vetme Qeverinë e ardhshme dhe kjo, sipas Vujoviçit, është shqetësuese.

“Millatoviç e ka thënë në një intervistë se ai dëshiron të bëjë koalicion me Frontin Demokratik dhe se atë e sheh si aleat të natyrshëm. Gjykuar nga kjo, ai është i afërt me politikën dhe ideologjinë e Frontit Demokratik, që është një politikë pro-serbe dhe pro-ruse”, thotë Vujoviç.

Të lidhura

Para

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Shkarko Snapfood dhe fito 10% ulje në porosinë e parë