Skip to content
Të Gjitha

Policia zbardh atentatin ndaj Santiago Malkos, ja kush janë 8 personat e dyshuar

· 3 min lexim

Policia ka zbardhur atetatin ndaj ish-policit, Santiago Malko, ngjarje kjo e regjistruar në zonën e Procelanit në Tiranë më 27 gusht.

Në kërkim janë shpallur 8 shtetas, të cilët janë, Leonard dhe Elis Duka, Fatmir Hyseni, Xhoni Nica, Oltian Loka, Ilir Selmani, Aleksandër Maxhaku, dhe Dritan Agaj.

Ndaj tyre Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë.

Mbi to rëndojnë veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.

Aktualisht i vetmi i arrestuar është Blendi Teta.

Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar 8 automjete dhe sendet që ndodheshin brenda tyre.

Dosja ndërkohë i ka kaluar Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Santiago Malko ishte pjesë e bandës së Ervis Martinajt, i njohur ndryshe si bosi i lojrave të fatit.

Prej një viti ai punonte në Inspektoriatin e Mjedisit, por pavarësisht se nuk kishte shkuar asnjë ditë në punë, e merrte rrogën rregullisht.

Njoftimi i policisë

Tiranë

Zbardhet dhe dokumentohet autorësia e vrasjes së 26-vjeçarit  S. M.

Shpallen në kërkim 8 persona.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale automjetet e përdorura nga autorët për të kryer krimin, si dhe sendet e gjetura në brendësi të tyre .

Në vijim të punës për zbardhjen e vrasjes së 26-vjeçarit S. M., Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune intensive hetimore, arritën të dokumentojnë autorësinë e ngjarjes së ndodhur në datë 27 gusht 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, ku u vra me armë zjarri shtetasi S. M.

Dokumentimi i autorësisë së kësaj ngjarje të rëndë kriminale është rezultat i një pune profesionale të pandërprerë duke vlerësuar maksimalisht informacionet e grumbulluara, si dhe provat e administruara nga grupi hetimor dhe më datë 27 shtator 2019 , Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur si masë sigurimi personal “Arrest me burg” në mungesë, ndaj shtetasve:

  1. D.,  E. D., I. S.,  O. L., D. A., A. M.,  Xh. N., (të shtatë banues në Tiranë) dhe F. H., (M.,) banues në Vlorë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vlerësuar dhe suportuar  punën hetimore dhe procedurale  të Policisë  së Tiranës dhe Prokurorisë   dhe ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për ti klasifikuar  në kuadrin e një grupi të strukturuar kriminal të dyshuarit për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.

Më herët po për këtë ngjarje është ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe shtetasi B. T.,  banues në  Tiranë .

Grupi hetimor gjatë veprimeve procedurale ka arritur të gjej dhe sekuestroj në cilësinë e provës materiale 8 automjete, mes tyre dhe automjetet e përdorura nga autorët për të kryer krimin, si dhe sendet e gjetura në brendësi të tyre .

Grupi hetimor vijon me intensitet punën për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes dhe personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në të,  si dhe lokalizimin e kapjen e  personave te mësipërm të cilët tashmë janë të shpallur në kërkim.

Gjithashtu kjo ngjarje i ka kaluar Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda për ndjekje të mëtejshme.

Policia e Shtetit, duke falënderuar qytetarët dhe mediat për bashkëpunimin, shprehet e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit çdo akt, grup kriminal apo paligjshmëri, për të ndërtuar së bashku një Shqipëri më të mirë dhe të sigurt.