Skip to content
Kryesore

Policia mohon dhunën ndaj Eneas, AMP në heshtje: Klevis Qose, hetoni efektivët!

· 4 min lexim

Policia e Shtetit ka zgjedhur të mohojë publikisht akuzat e protestuesit Enea për dhunë brenda Komisariatit nr. 1 në Tiranë, duke nxjerrë si argument një procesverbal të nënshkruar prej tij. Por përballë dëshmisë së një të riu me syrin e nxirë dhe të ënjtur, që identifikon me emër dy efektivët që akuzon për dhunën, pyetja nuk është çfarë deklaron institucioni për veten. Pse Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), e drejtuar nga Klevis Qose, nuk ka dhënë ende një përgjigje publike për hetimin e rastit?

Enea ka denoncuar se është dhunuar nga punonjësit e policisë Roki Pepa dhe Ervin Hasrama, pasi u shoqërua në Komisariatin nr. 1 pas protestës kundër qeverisë. Sipas dëshmisë së tij, ai po largohej nga protesta me një shok kur u ndalua dhe u dërgua në komisariat, ku më pas u thirr në një zyrë dhe u godit vazhdimisht.

“Roki Pepa, filloi direkt me fjalë banale bashkë me Ervin Hasramën që më kanë goditur pa pushim”, deklaroi Enea.

Ai denoncoi edhe kërcënimin:

“Mos harro se e ke personale. Mos harro se këto pllaka kishe për t’i larë në gjak”.

Në vend që reagimi institucional të përqendrohej te sqarimi i këtyre akuzave të rënda, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë publikoi një deklaratë ku i cilësoi pretendimet e protestuesit të pavërteta.

Policia pretendon se Enea nuk është thirrur në zyrën e shefit të komisariatit dhe se në momentin e largimit ka firmosur një procesverbal ku deklaronte se nuk kishte ankesa ndaj punonjësve. Sipas versionit policor, i riu ka deklaruar në spital se ishte dhunuar nga persona të panjohur pranë ish-Hotel Dajtit.

Por që kur një procesverbal i hartuar nga policia mjafton për të përjashtuar përgjegjësinë e vetë policisë? Kush garanton se dokumenti është firmosur pa presion? Kush ka verifikuar se çfarë ka ndodhur brenda komisariatit?

Një institucion i akuzuar për dhunë nuk mund ta mbyllë çështjen thjesht duke deklaruar se akuzat ndaj tij janë të pavërteta.

Besueshmëria e Policisë së Shtetit është vënë vazhdimisht në pikëpyetje nga pamjet e dhunës gjatë protestave, përfshirë rastet e denoncuara të goditjes së qytetarëve dhe protestuesve. Për këtë arsye, deklarata e policisë nuk mund të zëvendësojë një hetim të pavarur.

Shqetësuese është edhe pjesa tjetër e dëshmisë së Eneas. Ai tregon se pas dhunës është kontaktuar nga një person që i ka premtuar ndihmë për problemet shëndetësore të vëllait të vogël, për të cilat më parë nuk kishte marrë zgjidhje nga shteti.

“Pas dhunës nga Roki Pepa dhe Ervin Hasrama, më kalojnë në telefon. Kam patur disa probleme përpara me shëndetësinë, vëllain e vogël e kisha sëmurë dhe shteti s’më është përgjigjur. Tha “do t’i rregullojmë ne, pa merak”. Ne presim të dhunohemi, pastaj të na ndihmojnë këta?”

Kjo dëshmi ngre një tjetër dyshim që kërkon hetim të menjëhershëm: a po përdoren premtimet për zgjidhjen e problemeve personale si mjet presioni për të heshtur protestuesit që denoncojnë dhunën?

Ndërkohë, Progres-Raporti i Komisionit Europian për vitin 2026 ka evidentuar problematika në përgjegjshmërinë, efektivitetin dhe pavarësinë e AMP-së. Pikërisht institucioni që duhet të hetojë abuzimet policore përballet tani me një denoncim konkret, me emra, dëshmi publike dhe dëmtime të dukshme.

Klevis Qose duhet të japë përgjigje: A janë marrë në hetim Roki Pepa dhe Ervin Hasrama? A janë sekuestruar kamerat e Komisariatit nr. 1? A është verifikuar procesverbali dhe mënyra e nënshkrimit të tij? A është identifikuar personi që, sipas Eneas, i premtoi ndihmë pas dhunës?

Pamjet e kamerave duhen ruajtur menjëherë, dëshmitë duhen administruar dhe çdo pretendim për dhunë, kërcënim apo ndikim mbi protestuesin duhet hetuar deri në fund.

AMP nuk është krijuar për të përsëritur deklaratat e Policisë së Shtetit, por për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të saj dhe për të hetuar punonjësit që dyshohen për abuzime.

Nëse policia akuzohet se ka dhunuar një qytetar dhe më pas del publikisht për të mohuar akuzën, detyra e AMP-së është të zbardhë ngjarjen, jo ta lërë qytetarin vetëm përballë institucionit që denoncon.

Enea ka folur publikisht, ka treguar dëmtimet dhe ka identifikuar efektivët që akuzon. Tani përgjegjësia për të vepruar u takon institucioneve.

Klevis Qose duhet të sqarojë pa vonesë çfarë ka bërë AMP për këtë rast. Sepse një qytetar që denoncon dhunë policore ka të drejtë të kërkojë drejtësi, jo të përballet vetëm me një deklaratë që e shpall dëshminë e tij të pavërtetë.

Drejtësia nuk vendoset me procesverbale që policia nxjerr për të mbrojtur versionin e saj. Vendoset me hetim të pavarur, prova dhe përgjegjësi për këdo që ka shkelur ligjin.