Skip to content
Të Gjitha

“Po përdorni viktimën”, Rama sulmoi sot mediat, por një vit më parë publikoi identitetin e prindërve të 13-vjeçares së abuzuar në Kavajë

· 2 min lexim

Kryeministri Edi Rama ka folur ditën e sotme nga foltorja e Kuvendit lidhur me abuzimin e 15-vjeçares në Babrru nga roja e shkollës, 65-vjeçari Abaz Doka.

Rama tha se kjo nuk është hera e parë që një krim i tillë ndodh në vendin tonë, duke marrë kështu në mbrojtje ministren e Arsimit, Besa Shahinin dhe duke akuzuar mediat për mosruajtjen e anonimitetit.

Në fakt, lidhur me këtë ngjarje, mediat nuk kanë publikuar identitetin e të miturës.

Sjellim në kujtesë ngjarjen e rëndë të ndodhur në Kavajë në shkurt të vitit 2019.

Një 13-vjeçare u abuzua seksualisht nga shokët e saj në ambientet e shkollës.

Pas zbulimit adoleshentët u arrestuan dhe po vuajtën dënimin, ndërsa vajza po vuan ende traumat.

Kujtojmë se zbardhjen e identitetit të vajzës dhe të familjarëve të saj e bëri vetë qeveria në televizionin ERTV.

Ka qenë ministrja e Shtetit për Marrëdhenien me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila mori me vete kamerat e ERTV dhe shkoi në shtëpinë e viktimës.

Spiroplali dhe ERTV në atë kohë zhvilluan intervista, ku publiku mësoi identitetet e të gjithë pjestarëve të familjes së vajzës së abuzuar.

Mbahet mend shumë mirë shprehja e Spiropalit asokohe “se këto gjëra ndodhin në të gjithë botën, bëhen dhe filma”, e cila “pushtoi” rrjetet sociale me meme të shumta.