Skip to content
Kryesore

Pickimet e verës/ Nga mushkonjat te grerëzat, çfarë duhet të dini sipas mjekëve

· 2 min lexim

Me ardhjen e verës dhe rritjen e temperaturave, është shtuar ndjeshëm prania e insekteve në ambientet e hapura dhe të banuara.

Sipas mjekëve të qendrave shëndetësore, është rritur edhe numri i pacientëve që paraqiten me shqetësime nga pickimet.

Antia Haxhiraj, mjeke pranë Qendrës së Mjekësisë Familjare nr. 10 në Tiranë, tregon se rastet më të shpeshta lidhen me mushkonjat, mizat e vogla, por edhe bletët, grerëzat apo, më rrallë, milingonat e zjarrit, të cilat hasen më së shumti në zonat bregdetare.

“Shumica e pacientëve kanë reaksione lokale, me skuqje, kruarje dhe ënjtje në zonën e pickimit. Por ka edhe raste më të rënda me reaksione alergjike sistemike që kërkojnë ndërhyrje mjekësore të menjëhershme”, shpjegon Haxhiraj.

Si të veprojmë pas pickimit?

• Mushkonjat dhe mizat: Këshillohet të aplikohet kompresë me ujë të ftohtë. Zakonisht nuk kërkohet trajtim shtesë.

• Bletët: Nëse është i dukshëm thumbi, duhet nxjerrë me kujdes. Zona pastrohet me ujë e sapun dhe vendoset kompresë e ftohtë për të zbutur ënjtjen.

• Grerëzat dhe insektet e tjera alergjizuese: Nëse vërehen simptoma si fryrje e përhapur, vështirësi në frymëmarrje apo lëkurë me njolla të shumta, është e nevojshme ndërhyrja urgjente.

Mjekët paralajmërojnë që në asnjë rast të mos kruhet vendi i pickimit për të shmangur infeksionet, ndërsa theksojnë se gjatë verës, sidomos në zonat rurale dhe malore, rreziku i pickimeve nga gjarpërinjtë është gjithashtu prezent.

Në raste të tilla, rekomandohet që personi të transportohet menjëherë në një qendër spitalore për trajtim të specializuar.