Përse ndryshoi projekti? Vijon skandali i ndërtimeve abuzive në Kavajë! Del në dritë emri i biznesmenit të njohur

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Çfarë ndodhi me lejet në Kavajë?

Para pak kohësh “gazetareforma.com” publikoi një lajm mbi dy leje që Bashkia Kavajë kishte dhënë në zonën e Malit të Robit dhe sipas informacioneve të konfirmuara në rrugë jo zyrtare, në zonë do të ndërtoheshin godina 2-3 katëshe pak metra larg bregut të detit si dhe një rrugë që bllokonte tërësisht komunitetin e banorëve në zonë.

Për mos ta lënë vetëm në fazën e hipotezave dhe aludimeve, ne kemi komunikuar me një sërë institucionesh, përfshirë dhe kryeministrinë (nga të cilët ende nuk ka asnjë përgjigje) si dhe me kryebashkiakun e Kavajës Z.Isa Sakja.

Por menjëherë pas bërjes publike të kësaj çështjeje, historia e lejeve ndryshon rrjedhë. Kjo pasi tashmë nuk kemi të bëjmë më me godina 2-3 katëshe dhe rrugë. Çështja merr një kthesë 180 gradë dhe shkojmë në pikën e dy projekteve të cilat përfshijnë disa ndërtime të përkohshme së bashku me një pishinë si dhe një shëtitore.

Këtë gjë na e ka konfirmuar vetë z.Sakja, i cili tha se dy lejet e dhëna në zonë përkatësisht i janë dhënë: Z.Irfan Hysenbelliut, i cili në funksion të resortit të vetë në zonë “Prestige resort” do të ndërtojë aty objekte të përkohshme me bazë druri apo çeliku si dhe një pishinë. Ndërsa përsa i përket lejes së dytë, do të jetë Fondi Shqiptar i Zhvillimit  që do të investojë për  ndërtimin e një shëtitoreje në zonë që fillon nga “Prestige resort” e përfundon në Qerret sipas z.Sakja.

Punimet sa i përket ndërtimit në fjalë i ka marrë përsipër kompania “Fusha shpk”, por ndërkohë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në rrugë jo zyrtare na është konfirmuar se nuk kanë dijeni për projektin në fjalë.

Po ashtu në një komunikim që ne patëm me drejtoreshën e AZHT ( Agjencia e Zhvillimit të Territorit), zonjën Ledia Tota, na u komunikua në rrugë zyrtare se për zonën në fjalë nuk janë dhënë leje që nga tetori i vitit 2015.

E megjithatë pavarësisht të gjithave, punimet në zonën e malit të Robit, kanë nisur. Fakt tjetër që duhet përmendur është se lejet për ndërhyrjen në zonë, të cilat z.Isa Sakja i ka konfirmuar për “gazetareforma.com” dhe thotë se janë brenda normave ligjore, akoma nuk janë të publikuara në portalin online të Bashkisë, siç e kërkon ligji.

Fotot e ardhura në redaksinë e “gazetareforma.com”, tregojnë se puna ka filluar, dhe kanë nisur të prishen objektet e para në zonë.

Siç duket edhe nga fotot, në zonë ka prani të policisë bashkiake, disa prej tyre edhe civilë, ndërkohë i pranishëm është edhe nënkryetari i Bashkisë Kavajë.

Sakaq, në kuadër të ankesave të shumta të banorëve të zonës, “gazetareforma.com” merr përsipër ta ndjekë në rrugë ligjore çështjen duke përgatitur një padi për Bashkinë e Kavajës.

 

Shpërndaje
Share.

Komento