Skip to content
Kronikë

Përplasi për vdekje 7-vjeçaren në Potam, Prokuroria kërkon 15 vjet burg për autorin

· 1 min lexim

Prokuroria e Vlorës ka përfunduar hetimet lidhur me vrasjen me skaf të vogëlushes 7-vjeçare Jonada Avdia, një ngjarje tragjike e ndodhur në plazhin e Potamit në Himarë më 2 gusht 2022.

E mitura po lahej në det kur u godit fillimisht nga pjesa ballore e gomones, dhe më pas trupi i saj u pre nga helikat, duke humbur jetën në vend.

Prokuroria ka ngritur akuza për vrasje me dashje ndaj ish-policit Arjan Tase, i cili ishte drejtuesi i gomones në momentin e ngjarjes. Organet e akuzës kanë kërkuar dënimin e tij me 15 vite burg.

“Nga analiza e akteve të administruara gjatë hetimit, këqyrja e vendit të ngjarjes dhe pamjet filmike, provohet se i pandehuri A.T. ka kryer veprën penale të ‘Vrasje me dashje,’” deklaroi Prokuroria e Vlorës.

Familja Avdia, me origjinë nga Tropoja dhe rezidente në Angli, kishte ardhur në Shqipëri për të pushuar në jug të vendit.

Prokuroria është e bindur se Tase ka kryer veprën penale “Vrasje me dashje” sipas nenit 76 të Kodit Penal, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes për kualifikimin e faktit penal si “Vrasje nga pakujdesia.”