Skip to content
Politikë

Përgjimet zbulojnë manipulimin e audios Veliaj-Dado

· 2 min lexim

CNA ka siguruar përgjime që vërtetojnë manipulimin e audios së deklaratës së Erion Veliajt, kryebashkiakut të Tiranës, lidhur me akuzat që ai hodhi ndaj prokurorit Ols Dado gjatë një seance gjyqësore më 24 shkurt 2025.

Lexo këtu: Përgjimet zhysin Lali Erin/ Përdor mediat e blera për presion ndaj drejtësisë

Veliaj pretendoi se gjatë gjykimit, Dado e kishte ofenduar atë duke përdorur fjalët “ndyrësirë”, “gënjeshtar” dhe “je patologjik”. Sipas tij, këto fyerje ishin regjistruar dhe ai kërkonte që të publikohej audioja për të provuar pretendimet e tij.

Pas këtij incidenti, Veliaj i kërkoi disa individëve dhe mediave të reagojnë, ndërsa mediat e tij të kontrolluara publikuan lajme që mbështetnin versionin e tij.

Mirëpo, përgjimet e bisedave ndërmjet Veliajt dhe Ajola Xoxës, të siguruara nga CNA, tregojnë qartazi se ka pasur një manipulim të audios që pretendonte të ishte prova për deklaratat e bëra në gjykatë.

Në një bisedë, Xoxa konfirmon se po punohej me transkriptimin dhe pastrimin e audios, duke u munduar që ajo të ishte e qartë dhe e kuptueshme, pasi, sipas saj, “ishte pak si nën zë”.

Veliaj kërkon informacion të saktë lidhur me publikimin e audios dhe tregon shqetësimin se gjyqtari kishte mbrojtur prokurorin në këtë çështje, duke pasur një marrëdhënie të dukshme me të.

SPAK-u dhe GJKKO-ja kanë hedhur poshtë pretendimet e Veliajt, duke deklaruar se nuk ka asnjë provë që tregon se prokurori Ols Dado e ka fyer kryebashkiakun me fjalët “ndyrësirë”.

Kjo ka rritur dyshimet për manipulimin e ngjarjes dhe mundësinë që Veliaj të ketë përdorur këto akuza për të shpërndarë dezinformata.