Kryeplaku i fshatit Tarazh në Mirditë ku ndodhi ngjarja e rëndë e përdhunimit të 15 vjeçares, ka treguar se familja e vajzës ishte në kushte të vështira ekonomike.
Ai ka folur për emisionin “Me zemër të hapur”, ku ka thënë se familja e vajzës është e vuajtur dhe e varfër dhe se autorët kanë përfituar nga kjo arsyeja. Sipas tij, e mitura nuk ka qenë e lidhur me 17-vjeçarin dhe nuk ka qenë vajzë problematike në shkollë.
“Familje e vuajtur me fukarenj por është familje e mirë e respektuar. Mendoj që kjo ngjarje ka ndodhur se familja ka qenë e varfër. këta njerëz që kanë bërë abuzimin kanë shfrytëzuar rastin, e kanë gënjyer duke qenë se është e varfër. Për mua është gënjeshtër që 17-vjeçari ka qenë i lidhur me vajzën. Mësuesja më ka thënë që vajza nuk ka pasur asnjë problem. Nuk ka munguar asnjë ditë në shkollë. Nuk kam parë asnjë lloj veprimi që të vihen në dyshim këta njerëz”, deklaroi kryeplaku.
Babai i të miturës ka rrëfyer për mediat se ngjarja e rëndë ka ndodhur më 8 mars, kur Artan Kaçorri ka shkuar dhe ka marrë 15-vjeçaren në shkollë. Sipas prindërve të vajzës, 31-vjeçari e ka marrë vajzën me zor në makinë dhe e ka droguar. Më pas ai ka kryer marrëdhënie seksuale me të, dhe e ka dërguar tek Nik Lleshi, i cili gjithashtu ka abuzuar seksualisht me të. Me anë të një videoje, ata e kanë shantazhuar vajzën e cila nga frika është detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë në grup.
Ka qenë e ëma e të miturës që ka dyshuar se me vajzën diçka nuk shkonte pasi i ka gjetur një telefon ilegal i cili i qe dhuruar nga autorët. Brenda telefonit gjendeshin foto e video, me të cilat ata i bënin shantazh për të kryer marrëdhënie seksuale me persona të tjerë.
Të akuzuarit për përdhunimin në grup të adoleshentes 15-vjeçare, Artan Kaçorri 31 vjeç, Albert Molla, 27 vjeç, Ermal Tarazhi, 30 vjeç, Nike Lleshi, 44 vjeç dhe Adrian Gjikola, 17 vjeç pritet të tregojnë sot në gjykatë sesi ka ndodhur abuzimi i tyre me të miturën.