Pas ditësh të tëra protestash, bashkimi qytetar ka arritur atë që shumë e quanin të pamundur: ka thyer frikën, ka nxjerrë njerëzit në shesh, ka vendosur në qendër të debatit publik korrupsionin, oligarkët, pronën publike, zgjedhjet dhe përgjegjësinë politike.
Por pikërisht tani, kur protesta ka arritur kaq shumë, rreziku më i madh nuk vjen vetëm nga jashtë. Vjen nga brenda, nga përçarja, nga lodhja, nga dyshimi dhe nga etiketimet mes vetë njerëzve që kanë qenë në të njëjtin shesh
Taktika e qeverisë është e vjetër: përça e sundo.
Kur qytetarët nuk ndalen nga presioni, pushteti pret që ata të ndalen nga njëri-tjetri. Të mos flasin më për arsyet pse dolën në protestë, por të merren me kush foli, kush gaboi, kush e mori mikrofonin, kush marshoi, kush nuk marshoi, kush është i kujt dhe kush qenka “tradhtar”.
Kjo nuk duhet të ndodhë.
Protesta ka nevojë për organizim, por jo për linçim. Ka nevojë për rregull, por jo për gjueti fajtorësh. Ka nevojë për korrigjim, por jo për përçarje. Gabimet mund të diskutohen, vendimet mund të përmirësohen, marshimet mund të organizohen më qartë, mikrofoni mund të ketë më shumë përgjegjësi. Por besimi mes protestuesve, po u thye, është shumë më i vështirë për t’u rindërtuar.
Prandaj fjala “tradhtar” nuk duhet të përdoret më mes njerëzve që janë bërë pjesë e kësaj proteste. Secili ka dhënë diçka. Dikush më shumë, dikush më pak. Dikush ka qenë çdo ditë në shesh, dikush ka dalë vetëm një herë. Dikush ka folur, dikush ka mbështetur në heshtje. Dikush ka marshuar, dikush është lodhur, dikush është kthyer, dikush ende po gjen guximin të dalë.
Të gjitha këto janë pjesë e një proteste qytetare.
Kjo nuk është ushtri. Nuk është parti. Nuk është strukturë me komandë. Është një lëvizje e qytetarëve, dhe kur nuk ka organizatorë të vetëm, nuk mund të ketë as “tradhtarë”, as akuza për shitje e blerje të njëri-tjetrit.
Kush gabon, kritikohet. Kush merr përgjegjësi, duhet të japë llogari. Kush propozon diçka, duhet ta bëjë qartë. Por askush nuk duhet të shpallet armik vetëm pse mendon ndryshe, vepron ndryshe, lodhet, nuk bie dakord apo nuk ndjek çdo hap e çdo vend marshimi.
Protesta duhet të vazhdojë paqësore, siç ka qenë çdo ditë. Me dinjitet, me qytetari, me këmbëngulje dhe me një mesazh të qartë: nuk dorëzohemi dhe nuk përçahemi.
Sepse kjo protestë është shumë e bukur për t’u dëmtuar nga fjalët e fundit të thëna të parat. Ka sakrifica, ka lodhje, ka momente të vështira, por ka edhe një bashkim që nuk duhet humbur. Nëse diçka nuk shkon, rregullohet. Nëse ka paqartësi, sqarohen. Nëse ka gabime, mësohet prej tyre. Por nuk duhet t’ia bëjmë pushtetit punën më të lehtë duke kërkuar fajtorët mes nesh.
Arsyeja e protestës mbetet aty ku ishte: te sistemi që ka lodhur qytetarët, ka kapur institucionet dhe ka kthyer shtetin në pronë të pak njerëzve.
Protesta vazhdon. Paqësore. E bashkuar. Pa gjueti tradhtarësh. Pa i dhënë pushtetit dhuratën që po pret.
Nuk na përçani dot!







