Situata nga Covid-19 në vendin tonë vijon të jetë serioze, pasi bilanci i viktimave dhe të prekurve është çdo ditë e më shqetësues. Vetëm në 24 orët e fundit kanë humbur betejën me sëmundjen 4 qytetarë: dy prej tyre 57-vjeçare nga Shkodra dhe Dibra, një pacient 75-vjeçar nga Durrësi dhe një paciente 81-vjeçare nga Tirana.
Edhe në spitalin Infektiv gjendja vijon të paraqitet e rënduar, pasi në 24 orët e fundit ka shtim të pacientëve edhe të moshave të reja. Aktualisht janë të shtruar 72 pacientë në spital, 8 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 420 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19, nga të cilat janë konfirmuar 83 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 38 raste në Tiranë, 12 në Berat, 6 në Durrës, nga 4 raste në Shkodër, Elbasan, Vlorë, 3 raste në Krujë dhe Kukës, 2 raste në Urën Vajgurore dhe Përmet, nga 1 rast në Lezhë, Mirditë, Gjirokastër, Bulqizë, Himarë.
Fatmirësisht në 24 orët e fundit janë shëruar 65 qytetarë, duke e çuar në 1946 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1415 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 591
Durrës 223
Shkodër 180
Vlorë 113
Lezhë 63
Fier 29
Kukës 43
Korçë 32
Elbasan 36
Berat 39
Gjirokastër 25
Dibër 18