Ashtu siç nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në historinë e këtij vendi, Estonia do të qeveriset nga një kryeministre. Bëhet fjalë për 44-vjeçaren Kaja Kallas. Marrëveshja për të formuar një qeveri të re u arrit nga dy partitë më të mëdha në vend. Këshilli i partisë së qendrës së djathtë, Partia e Reformës dhe këshilli i Partisë së Qendrës votuan të dielën dhe ranë dakord për ta lënë vendin në duart e Kallas-it, e cila drejton edhe Partinë e Reformës.
Kaja Kallas, avokate dhe ish-ligjvënëse e Parlamentit Evropian e ka udhëhequr Partinë e Reformës që prej vitit 2018. Pjesë e kabinetit të saj do të jenë gra në pozita kyçe në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Jashtme.
Qeveria e re do të zëvendësojë kabinetin paraprak, i cili dështoi si pasojë e një skandali të korrupsionit më herët gjatë këtij muaji. Ndonëse ish-kryeministri Juri Ratas dha dorëheqje më 13 janar, vazhdimisht insistoi se personalisht nuk kishte bërë asgjë të keqe. Dorëheqja e tij rezultoi me shpërbërje të koalicionit qeveritar, ndaj presidentja Kersti Kaljulaid kërkoi formimin e qeverisë së re. Kaljulaid është po ashtu presidentja e parë grua e këtij shteti.
Por çfarë ndodhi në Estoni?
Prokuroria estoneze njoftoi se dyshonte që partia e Ratasit-it, ajo e Qendrës dhe pesë individë ishin përfshirë në “korrupsion të mundshëm” në një projekt fitimprurës pranë Portit Franco, në Talin. Mes personave të përfshirë në skandal ishte dhe Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Mihhail Korb. Zyrtarët dyshohen se kanë marrë ryshfet për të ndikuar në zgjedhjen e kompanisë fituese të projektit.
Prokuroria dyshon se një sipërmarrës ka dhuruar rreth një million euro për Partinë e Qendrës, në këmbim të marrjes së lejes pranë portit. Kryeministri Ratas deklaroi se megjithëse nuk ishte i përfshirë në hetime, do të merrte përgjegjësi politike duke u dorëhequr.