PD publikon dokumentin, Agim Kajmaku rezulton i dënuar në Greqi

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Sekretari i Përgjithshëm në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi ka publikuar vendimin e Prokurorisë dhe Gjykatës së Janinës, për kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmakun.

Sipas dokumentit, Kajmaku është arrestuar në vitin 2003 në Greqi, pas akuzave për falsifikim parash.

Më pas Prokuroria pas shqyrtimit të provave, ka kërkuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për Kajmakun.

Ky i fundit madje ka përdorur edhe identitetin e rremë, Jorgo Toto.

Referuar dokumentit, Sekretari i PD ka thënë se paratë e falsifikuara, u përdorën gjatë një transaksioni për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera.

“Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, i datëlindjes 1971, banues në Tiranë Shqipëri, është arrestuar në flagrancë në shtetin grek, në zonën e Janinës, më datë 14.01.2003 për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje kartmonedhash të falsifikuara”. Ai është arrestuar në flagrancë, duke u arratisur nga territori i shtetit grek. Krimi është kryer gjatë një transaksioni për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera, dhe Agim Kajmaku ka përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashivi. Pasi është marrë në pyetje nga hetuesi paraprak dhe ka qëndruar disa ditë në burg, oficeri i policisë gjyqësore ka vendosur që hetimet ndaj tij të zhvilloheshin nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, derisa çështja t’i përcillej prokurorisë dhe gjykatës. Pasi dosja është përcjellë në prokurori, Prokuroria e Janinës ka konstatuar se jemi përpara një krimi të nivelit të parë (shkalla më e rëndë e klasifikimit të veprave penale), dhe nga provat e administruara ka vlerësuar se rezultonte e provuar që krimi ishte kryer nga shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto. Krimi i kryer nga Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, sipas prokurorisë greke, duhet të dënohej me jo më pak se 10 vjet burgim. Për këtë arsye, Prokuroria ka urdhëruar arrestin e tij të menjëhershëm dhe ka përcjellë dosjen në gjykatë. Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka vendosur arrest me burg të menjëhershëm dhe marrjen të pandehur të shtetasit Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, për fallsifikim parash, si dhe dërgimin e çështjes për gjykim”, tha Bardhi.

Më tej ai ka sqaruar se urdhri i Prokurorisë greke nuk është ekzekutuar pasi Jorgo Toto nuk është gjendur në shtetin helen, duke iu shmangur kështu drejtësisë.

“Ai ka të paekzekutuar një masë arresti me burg dhe nuk ka marrë kurrë pafajësinë mbi akuzën e ngritur nga Prokuroria greke. Pra, praktikisht është edhe sot nën procedim penal nga autoritetet greke, me një masë “arresti në burg” në fuqi.  Të gjitha këto të dhëna provojnë se Agim Kajmaku është subjekt ndalimi për të ushtruar një funksion publik nga ligji i dekriminalizimit”, shtoi Bardhi.

Shpërndaje
Share.

Komento