PD publikon dokumentet: Ja krimi që ka bërë Valdrin Pjetri në Itali

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Pak ditë më parë, Partia Demokratike i bëri një kërkesë urgjente Prokurorisë së Përgjithshme për të verifikuar pastërtinë e figurës së Valdrin Pjetrit. Ky i fundit u regjistrua në votime si kandidat i PS për Bashkinë e Shkodrës.

Sipas kërkesës së firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ekzistojnë të dhëna dhe dëshmi të forta publike së Pjetri nuk mund të ushtrojë funksion publik për shkak të ligjit të dekriminalizimit.

Siç u paralajmëruar edhe ditën e djeshme nga PD për publikimin e disa dokumentave, sot Gazment Bardhi i ka publikuar.

Këto dokumente i përkasin Kuesturës së Firencës në Itali. Nga këto dokumente provohet dënimi i dhënë për Valdrin Pjetrin, 16 vite më parë.

“Valdrin Luigj Pjetri, i datëlindjes 18 Shtator 1982, lindur në Shqipëri, është arrestuar në flagrancë, së bashku me shtetasin Altin Doda, në datë 27 Janar 2003 në Firence.

Më datë 28 Janar 2003, përpara gjykatës, Valdrin Pjetri ka pranuar kryerjen e krimit dhe fajësinë, duke nënshkruar marrëveshje për dënimin e tij të menjëhershëm sipas legjislacionit penal Italian.

Ai është dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim.

Për shkak të marrëveshjes së pranimit të fajësisë, gjykata ka urdhëruar pezullimin e dënimit. Më datë 3 Shkurt 2003 Vladrin Pjetrit i është revokuar leja e qëndrimit dhe më datë 4 Shkurt 2003 ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga shteti italian”, deklaroi Bardhi.

Ky i fundit thekson se kryeministri Rama e ka mohuar dënimin e dhënë ndaj Pjetrit, kur ai e ka pasur të gjithë informacionin.

“Të vërtetën mbi të kaluarën kriminale të Valdrin Pjetrit, Edi Rama e ka mësuar nga të njëjtat burime diplomatike, në të njëjtën kohë me Partinë Demokratike”, shtoi Bardhi.

Shpërndaje
Share.

Komento