Skip to content
Të Gjitha

Pasojat e Covid-19 në tru, neurologia: Jeta mund të rrezikohet deri në 8 javë pas infektimit!

· 2 min lexim

Edhe pse pacientët e prekur me koronavirus negativizohen, sërish nuk është ende një betejë e fituar ndaj virusit.

Pasojat e virusit  mund të shfaqen edhe pas 4-8 javësh. Sipas vëzhgimeve dhe rasteve, mjekët deklarojnë se problemet më të mëdha shkaktohen në tru.

Këtë gjë e thekson edhe mjekja neurologe Entela Basha, e cila deklaron se 30% e të shtruarve aktualisht në pavijonin e neurologjisë, janë pacientë të cilët kanë dalë nga spitalet covid.

“Vihen re disa sëmundje të tjera, pas javës së 4-8, pas kalimit të covid-19, që janë të lidhura me tromboza në organe të ndryshe. Në shërbimin tonë neurovascular, mund të themi që 30% e pacientëve që kemi aktualisht të hospitalizuar, janë pacientë të cilët e kanë kaluar Covid para 4 deri në 8 javë përpara”, thotë neurologia.

Basha tregon shkaqet, pse ndodhin këto problem pas negativizimit nga virusi.

“Ajo që kemi vënë re, te pacientët që kanë ardhur, nuk e kanë vazhduar terapinë e sugjeruar nga specialistët, duke shkaktuar ndryshime në atë që populli e quan trashje të gjakut, dhe duke u bërë shkak për pjesën e trombozave”, ka theksuar mjekja Basha.

Një nga problemet e tjera që shkakton covid-19, është edhe tjetërsimi i nuhatjes. Më rrallë ndodh ndryshimi i shijes. Këto pasoja janë te pacientë të cilët e kanë kaluar covid-19 në stad të lehtë.

“Pacientët që e kanë kaluar covid-19, ose janë në fazat e fundit të rikuperimit, vënë re se nuhasin aroma që nuk janë në ambientin që i rrethon. Është ende herët për të dalë në konkluzion nëse ky virus vërtet shkakton probleme të bulbido-faktor, i cili është përgjegjës për nuhatjen, apo është thjesht ndoshta një gjetje rastësore”, është shprehur mjekja.

Ndër të tjera mjekja ka bërë apel që të shëruarve që nuk i është rikthyer pas një kohe të gjatë nuhatja dhe shija, të konsultohen me neurologun, pasi mund të kenë probleme të cilat rrezikojnë shëndetin./Gazetareforma.com/