Skip to content
Të Gjitha

Pas drejtësisë sfidoi fuqishëm edhe qeverinë, gjykatësi i Apelit pjesë e meselesë për guroret në malin e Tomorrit

· 3 min lexim

Më 3 gusht të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit Administrativ, hodhi poshtë Vendimin e Këshillit të Ministrave, për zgjerimin e zonës së mbrojtur në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorrit.

Qeveria kishte vendosur që ta kthente edhe më herët në park Kombëtar të gjithë malin e Tomorrit, por një shoqatë jofitimprurëse që gruponte pronarët e guroreve, ankimoi vendimin në gjykatë.

Shoqata e shoqërive të Veprimtarisë Minerare Berat “Emiljano Sh.p.k”, ka paditur më datë 02.10.2019 Këshillin e Ministrave për VKM-në për zgjerimin e zonës së mbrojtur në Malin e Tomorrit.

Pjesë e trupës gjykuese, që votoi kundër qeverisë ishte edhe Amarildo Laçi, anëtar i Gjykatës së Apelit Administrativ një emër i lakuar shumë, për disa vendime absurde. Lexo këtu

Duke u pozicionuar krah gjyqtarëve të cilët votuan kundër qeverisë, Laçi vuri një gur më tepër në shkatërrimin e malit të Tomorrit nga bizneset e guroreve, dëme këto të pakthyeshme, jo vetëm për shkak të gërmimit, por edhe për largimin e kafshëve.

Pjesë e kësaj meseleje u bë dhe Laçi, i cili e shtoi këtë çështje në listën e vendimeve të kontestuara, për të cilat duhet të japë shpjegim gjatë procesit të rivlerësimit.

Ky vendim, duhet të merret parasysh nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kur ai të futet në sitën e vettingut.

Laçi do të ketë shumë të vështirë të justifikojë pozicionimin kundër qeverisë, pasi bie ndesh gjithashtu me interesin e qytetarëve të cilët protestuan fortë, por edhe me operatorët turistikë, që dhanë alarmin se po shkatërrohej turizmi në zonë.

Sipas qytetarëve të cilët protestuan me pankarta, ky vendim mbron interesat e ngushta të biznesmenëve të guroreve.

Ata gjithashtu nisën firmosjen e një peticioni kundër ndalimit të zgjerimit të parkut kombëtar në Tomorr, ndërsa pjesë e protestës së tyre u bë edhe ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi.

Ky i fundit deklaroi se vendimi i Apelit Administrativ, do të ankimohet në Gjykatën e Lartë.

Gazetareforma.com është interesuar pranë Gjykatës së Lartë, për të mësuar, nëse Klosi e ka mbajtur fjalën për ankimimin në Gjykatën e Lartë të kësaj çështjeje.

Mirëpo Amarildo Laçi përveç qeverisë, në të shkuarën ka sfiduar fuqishëm edhe drejtësinë shqiptare.

Ai liroi nga burgu në 2016-ën, tre anëtarët e bandës së Cërrikut, të akuzuar për vrasjen e 6 gardistëve në vitin e mbrapshtë 1997.

As figura profesionale e Laçit, e cila është një nga tre shkallët e vettingut, nuk është shumë e pastër.

Kjo për shkak se në 2008-ën, djali i xhaxhait të tij, Kujtim Laçi, u akuzua për trafik armësh.

Për të vërtetuar nëse kushërinjtë kishin lidhje, Ministria e Brendshme asokohe paralajmëroi hetim për Laçin, mirëpo nuk dihet si kanë shkuar hetimet, nëse ka pasur sigurisht.

Gjyqtari i Apelit Administrativ kishte krijuar skemat e tij për vendimet absurde, duke i zvarritur çështjet me periudha shumë të gjata kohore, duke tejkaluar kështu disa herë mesataren e këtij institucioni.

Për të gjitha faktet e sipërpërmendura, gazetareforma.com ka kontaktuar me autoritetet përgjegjëse dhe është në pritje të një përgjigjeje, për të hedhur më shumë dritë rreth figurës së gjyqtarit të shumëpërfolur të Gjykatës Administrative të Apelit.