Skip to content
Të Gjitha

Pas datës së propozuar për takim nga Kurti, Thaçi i përgjigjet me një letër: “Të pres në orën 15:00”

· 2 min lexim

Pas disa përpjekjesh, duket se më në fund u vendos se kur do takohen Kurti dhe Thaçi.

Pasi kreu i Vetëvendosjes caktoi datën 6 janar, si të përshtatshme për takim, Thaçi i ka shkruar një letër ku i bën me dije orën e takimit.

Në komunikimin e tij zyrtar, Thaçi ka caktuar orën 15:00, ndërsa takimi do zhvillohet në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Në fund, Thaçi nuk ka harruar të urojë Kurtin për Vitin e Ri 2020.

I nderuar z. Kurti. Në përgjigje të kërkesës tuaj, shpreh gatishmëri që t’ju pres në takim me datën 6 janar 2020 në orën 15:00, në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës, me qëllim të konsultimit për të propozuar kandidatin për kryeministër për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Gëzuar 2020!,“-shkruan në letrën e tij Thaçi.

Thaçi e ka ftuar dy herë Albin Kurti për të caktuar mandatarin për formimin e Qeverisë.

Mirëpo, Kurti ka refuzuar, duke arsyetuar se nuk ndodhej në Prishtinë.

Ndonëse pak ditë më parë u themelua legjislatura e 7-të e Kuvendit të Kosovës, qeveria e re nuk është formuar ende.

Kjo pasi LDK dhe VV nuk po dakordësohen.

Kujtojmë se Lëvizja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që të marrë Presidentin dhe 5 ministri.

Më herët kërkoi edhe postin e kreut të Kuvendit, por ka hequr dorë.

Tashmë, ky post mbahet nga Glauk Konjufca, i zgjedhur nga Vetëvendosja.