Skip to content
Politikë

Parregullsitë në tendera, KLSH: Dëmi ekonomik 2.55 mld lekë

· 2 min lexim

Në emisionin ‘Vetting’ në News24 është trajtuar mungesa e konkurencës në prokurimet publike.

Sipas KLSH-së, në 4 vitet e fundit, totali i dëmit ekonomik për shkak të parregullsive në proceset e tenderimit, shkon në vlerën 2 miliardë e 550 milionë euro, barrë e cila bie mbi qytetarët.

Që nga fillimi i procesit të integrimit europian, Shqipëria është përballur me kritika të vazhdueshme nga organizatat ndërkombëtare për mungesën e konkurrencës në prokurimet publike.

Kjo problematikë është pasqyruar edhe në progres-raportin më të fundit të Bashkimit Europian.

“Vetting” ka analizuar procedurat me vlerën më të madhe monetare për periudhën 2020-2023 dhe ka zbuluar se në shumicën prej tyre nuk ka garë pasi kompanitë janë skualifikuar ose ka patur pjesëmarrës vetëm një kompani.

“Në thelb procesi i prokurimit publik në Shqipëri mund të themi që çalon, çalon në cilësi por edhe në vendimmarrjen e organeve kompetente”, tha eksperti i prokurimeve Muharrem Çakaj.

Problemet me tenderat kanë favorizuar krijimin e monopoleve me fondet publike e cila sipas drejtuesve të lëvizjeve politike, duket qartë nga numri i kufizuar i kompanive që marrin pjesë në tendera.

“Do duhej që normalisht investimet të ndaheshin dhe tenderat të fitoheshin nga kompani të ndryshme sepse nëse në Shqipëri ka 6000 kompani ndërtimi, ndërkohë 5 apo 10 prej tyre janë ato që fitojnë shumicën e tenderave publikë në infrastrukturë, kjo tregon qartë që është krijuar një farë monopolizimi i tregut”, tha për Adriatik Lapaj, kryetar i lëvizjes politike “Shqipëria bëhet.