Familjarë të Fatmir Xhafajt, pa asnjë lidhje me sektorin e energjisë dhe pa kapital apo aktivitet real, blejnë një kompani “fantazmë” dhe përfitojnë pa pengesa statusin e prodhuesit të energjisë në Fier, zonë që prej vitesh është shndërruar në territor të korrupsionit të parqeve fotovoltaike. Për të marrë lejen duhej prona dhe pikërisht këtu nis skandali tjetër: toka publike që i përkiste banorëve iu “dhurua” kompanive Dion Energy dhe Amel Energy, me ndërhyrjen e kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi. KLSH këtë veprim e cilëson shkelje të rëndë dhe grabitje të pronës shtetërore.
Auditimi i KLSH për vitin 2022 zbuloi se 70 mijë metra katrorë tokë shtetërore janë dhënë me qera në kundërshtim total me ligjin. Janë hetuar 15 kontrata të Bashkisë Fier për qeraje tokash për centrale fotovoltaike dhe rezulton se të gjitha janë lidhur në konflikt të hapur me VKM 54, duke tejkaluar kompetencat dhe anashkaluar autoritetin e Këshillit Bashkiak dhe të Ministrisë së Ekonomisë.
Kontrata me Dion Energji, ku pronarë janë të afërmit e Fatmir Xhafajt, është nënshkruar në maj 2022 për 35 mijë metra katrorë tokë ranishte. KLSH konstaton se Këshilli Bashkiak nuk ka miratuar kurrë dhënien e pasurisë 288/7, ndërsa Subashi ka përdorur një vendim të vjetër të vitit 2017 që nuk ka lidhje me këtë pronë. Për më tepër, Bashkia nuk ngriti grup pune, nuk hartoi relacione dhe nuk përcaktoi tarifat sipas ligjit. Subashi firmosi një Akt Marrëveshje në kundërshtim të plotë me VKM, pasi vetëm Ministria e Ekonomisë ka të drejtë të lidhe kontrata për tokat e pafrytshme.
Edhe kompania vetë, Dion Energji, nuk plotësonte kriteret e vendosura nga Ministria e Infrastrukturës: mungonin studimi i fizibilitetit, plani i biznesit, miratimi i pikës së lidhjes me rrjetin, lejet mjedisore dhe dokumentacioni për pronën. Pavarësisht këtyre mangësive, Subashi firmosi kontratën më 30.05.2022.
Dita pasuese, 31.05.2022, Bashkia lidh kontratën tjetër me Amel Energy, në pronësi të bashkëshortes së Artan Sakos, sërish për 35 mijë metra katrorë tokë shtetërore. Sërish pa miratim të Këshillit Bashkiak dhe sërish duke përdorur dokumentacion të parregullt. Raporti i KLSH flet për falsifikim të vendimeve të Këshillit Bashkiak dhe shkelje të nenit 54 të ligjit për vetëqeverisjen vendore. Edhe këtu, kompania nuk kishte plotësuar dokumentacionin minimal për të qenë pretendente.
Miratimet, qiratë dhe lejet përfunduese janë firmosur brenda 24 orëve dhe të gjitha në të njëjtën linjë administrative, çka tregon se dy impiantet janë në fakt një projekt i vetëm, i ndarë artificialisht për të kaluar me firmën e Belinda Ballukut pa procedura shtesë.
Sipas KLSH, Subashi ka tejkaluar kompetencat, ka shkelur dhjetëra nene ligjore dhe ka tjetërsuar tokë shtetërore në favor të dy kompanive të lidhura drejtpërdrejt me figura të njohura të Partisë Socialiste. I takon SPAK të sqarojë se kush është personi që ka peshën politike për të bërë të mundur që dy kompani të ndryshme, të afërta me njëra tjetrën, të marrin toka publike dhe leje strategjike në të njëjtën ditë.
Rasti ekspozon edhe një herë mënyrën se si brenda PS lëvizin influencat dhe paratë, ku figura si Fatmir Xhafaj kanë ndërtuar për vite rrjete mbështetësish e ndikimi nga kryetar pas kryetari, duke e kthyer blerjen e influencës në instrument politik e ekonomik. Në një sistem ku interesat financiare kanë më shumë peshë se ligji dhe qytetarët, këto manovra bëhen për të forcuar pushtetin, për të ngjitur apo për të rrëzuar “baballarë politikë”. Dhe kjo histori është vetëm një prej shumë të tjerave që tregojnë se kush përfiton dhe kush paguan koston.








